SHBA, NSA mbledh të dhënat telefonike

06/06/2013 00:00

Agjencia për Sigurinë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, NSA, po mbledh
regjistrimet telefonike të dhjetëra miliona amerikanëve, bën të ditur
gazeta britanike “The Guardian”.

Gazeta publikoi një vendim sekret të gjykatës që detyron kompaninë “Verizon” që të dorëzojë të dhënat elektronike për të gjithë klientët e saj “në bazë të nevojave të përditshme”.

Grupet për liritë dhe të drejtat e njeriut deklaruan se detajet e raportit ishin befasuese, ndërsa qeveria amerikane, agjencitë e sigurisë dhe “Verizon” nuk kanë bërë komente.

Qendra amerikane për të Drejtat Kushtetuese deklaroi se bëhet fjalë për urdhërin më të madh të përgjimeve që është dhënë ndonjëherë nga gjykatat amerikane.

Dokumenti i publikuar nga “The Guardian” mban firmën e gjyqtarit Roger Vinson, nga Gjykata për Përgjimet e Shërbimeve Sekrete, për datat 25 prill-19 korrik.

Vendimi bazohet në një seksion të epokës Bush, të njohur ndryshe si Patriot Act, që lejon aksesin tek të dhënat e biznesit për hetimet mbi inteligjencën e huaj dhe ato për terrorizmin ndërkombëtar.

Urdhëri i gjykatës i kërkon “Verizon”, një nga kompanitë telefonike më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, që t’i dorëzojë NSA-së të dhënat e të gjitha telefonatave që janë bërë përmes operatorit të saj, si të brendshme ashtu edhe të jashtme.

Të dhënat përfshijnë numra telefoni, karta telefonike, numrat që janë telefonuar jashtë Shteteve të Bashkuara, kohën e kryerjes dhe zgjatjes së telefonatës, etj.

Top Channel