Një raport i sapopublikuar i Bankës Botërore vëren se mbështetja e madhe
tek financimet vetjake e ka bërë sistemin shëndetësor shqiptar një nga
më të pabarabartët në Europë dhe Azi.

Sipas raportit, shqiptarët shpenzojnë në total rreth 750 milionë euro në vit për trajtim mjekësor. Por nga këto, vetëm 40 për qind paguhen nga Qeveria, ndërsa pjesën tjetër prej 60 për qind, e paguajnë vetë qytetarët nga xhepi i tyre.  

Kjo shifër e vendos Shqipërinë vendin e 5-të në Europë dhe Azinë Qëndrore ku familjet paguajnë peshën më të madhe të kurimit nga buxhetet e tyre, pas Azerbajxhanit, Taxhikistanit, Gjeorgjisë dhe Armenisë. Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 17 për qind ose mbi 3 herë më e vogël.

Por cilat janë pasojat e kësaj shpërndarje? Banka Botërore thotë se kur qytetarët detyrohen ta mbajnë vetë barrën më të lartë të shpenzimeve për mjekim, sistemi shëndetësor bëhet i pabarabartë dhe favorizon të pasurit, ndërkohë që kufizon aksesin e të varfërve në shërbimet shëndetësore bazë. Kjo, pasi ata që nuk kanë të ardhura nuk mund ta paguajnë shërbimin. Për të matur këtë pabarazi ekspertët e Bankës kanë përdorur një tregues, i quajtur indeksi i përqendrimit, i cili varion nga -1 për vendet që kanë sistem shëndetësor pro të varfërve, në 1 për ato që favorizojnë të pasurit. Me një koeficient 0.2, Shqipëria rezulton vendi i 5 me sistemin shëndetësor më të pabarabartë në Europë dhe Azi. Kjo do të thotë se një qytetar shqiptar me të ardhura të pakta e ka shumë më të vështirë për të marrë shërbim shendetësor, se sa qytetarët e vendeve të tjera në kontinent. Madje siç thotë Banka Botërore, për 17 për qind të familjeve shqiptare shpenzimet për mjekim janë katastrofike, sepse e kalojnë 10 për qind të të ardhurave të tyre.   

Top Channel