Berisha: Shpërblim mundit të fermerëve

08/06/2013 00:00

Kryeministri Berisha e ka mbyllur ditën e shtunë me një takim elektoral në Çakran, ku ka premtuar se do të shpërblejë mundin e fermerëve.

“Ju ja dolët që nga fermat tuaja të fitonit sa më shumë. Do bëj gjithçka që djersa juaj të shpërblehet sa më mirë”, ka deklaruar Berisha.

“Në katër vitet që do të vijnë do trefishojmë grantet për fermerët. Do bëjmë gjithçka për prodhimin tuaj dhe për marrëdhëniet me blerësit”, ka premtuar ai.

Duke theksuar se në këto vite në këtë komunë janë ndërtuar rrugë, shkolla e ujësjellësa, kreu i qeverisë ka ironizuar kryetarin e PS, Edi Rama.

“Shoku i autobusit nuk ka asnjë alternativë, asnjë program. Bashkë do të realizojmë ëndrrën evropiane”, u ka thënë Berisha të pranishëmve.

Berisha: Kapitull të ri për gjeneratat

Më herët kryeministri Berisha zhvilloi një takim elektoral në komunën Patos, ku së pari falenderoi banorët për
mbështetjen që i kanë dhënë PD-së.

Më pas Berisha përmendi arritjet e qeverisë, duke e vënë theksin fillimisht tek integrimit dhe heqja e vizave.

“Këto vite kemi hapur një kapitull të ri për gjeneratat që vijnë. Sot ne jemi anëtarë të NATO-s dhe lëvizim të lirë në Evropë. Së shpejti do të marrim statusin e vendit kandidat”, deklaroi Berisha.

Duke nënvizuar se qeveria e tij ka bërë gjithçka për një infrastrukturë sa më moderne, shefi i ekzekutivit foli edhe për vlerësime të institucioneve ndërkombëtare, që sipas tij konfirmojnë rritjen ekonomike të vendit.

“Institucionet ndërkombëtare konfirmojnë se Shqipëria vazhdon të ketë rritje ekonomike. Ne e bazojmë planin e punësimit tek reformat fiskale. Taksa e sheshtë bëri të mundur që bizneset të rriten. Ne hoqëm taksat për të gjitha makineritë që përdoren për prodhimin dhe për të gjithë punëtorët që marrin rrogë prej 30 mijë lekë”, tha Berisha, i cili premtoi zhvillim të mëtejshëm në 4 vitet e ardhshme.

“Projektet e mëdha do të nisin së shpejti. Në katër vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantet për fermerët. Alternativa tjetër është ajo e mohimeve dhe mashtrimeve”, shtoi Berisha.

Berisha: Gjithçka për prodhimin vendas

Kryeministri Sali Berisha ishte në Gosë të Kavajës, ku në bashkëbisedim me fermerët u shpreh i vetëdijshëm se prodhimi vendas krahasuar me atë të vendeve fqinje nuk është i barabartë në treg dhe premtoi se do të bëhet gjithçka për të mbrojtur fermerin shqiptar.

Këtë përgjigje kreu i qeverisë e dha pasi në shumicën e tyre fermerët e kësaj zone shprehën e shqetësimin e madh se prodhimi vendas është i diskriminuar në raport me atë rajonal. “Kjo është për shkak të subvencionimit, por ne do të bëjmë gjithçka për prodhimin vendas”, u përgjigj Berisha.

Në përgjigje të shqetësimit të fermerëve për rimbursimin e TVSH-së së inputeve bujqësore, kreu i mazhorancës tha se skema aktuale është më e mira. “Ne do të bëjmë gjithçka për ta shlyer atë në kohë”, premtoi ai.

Banorët e kësaj zone i paraqitën kryeministrit shqetësimin edhe për nivelin e korrupsionit, për të cilin kreu i qeverisë bashkëndau të njëjtin shqetësim. “Denonconi, se ndryshe nuk e luftojmë dot korrupsionin”, u tha ai atyre.

Kreu i qeverisë e mbylli këtë përgjigje me hapin e madh që është marrë me heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, por nuk shfajësoi për këtë drejtësinë.

“Sot akoma ka prokurorë që s’kanë vullnet të zbatojnë ligjin, por të jeni të bindur se këto ditë janë të shkurtra dhe se shumë shpejt do të ketë prokurorë që do hetojnë zyrtarët”, shtoi Berisha.

Berisha përuron ujësjellësin Porto Romano-Spitallë

Më herët gjatë ditës kryeministri Berisha përuroi ujësjellesin Porto Romano – Spitallë dhe premtoi investime të reja në këtë zonë.

“Pas një pune të madhe, investimeve të qeverisë dhe ndërmarrjes së Ujësjellësit jeni zona që merrni, sic e meritoni, 24 orë ujë. Do të asfaltojmë cdo rrugë, rrugicë, Spitallës, Kënetës dhe Porto Romanos. Por këtu ju keni Porto Romanon, një nga portet energjitike në të ardhmen më të mëdhenj të rajonit. Porti i Durrësit do të marrë anije 44 mijë tonësh, do të fillojë ndërtimi i gazsjellësit transadriatik, projektit më të madh europian që kalon nëpër Shqipëri”, tha Berisha.

Kryeministri akuzoi Bashkine e Durrësit për taksat më të larta në vend, si edhe kreun e PS-se, si një nihilist qe i duket Shqiperia si ajo e mesjetes.

“Ftojeni shokun e autobusit mavi të vijë këtu, sepse deklaron çdo ditë se jemi në mesjetë, jemi pa ujë. I thoni shokut të autobusit, sille autobusin tënd këtu që të shpëtosh nga mesjeta, se këtu kemi ujë 24 orë”, tha Berisha.

Me heret me rastin e 85-vjetorit te krijimit te Mjeksise Publike, kryeministri Berisha mori titullin “Fisnikëria Tiranase”, titull qe me pare e kane marre edhe mjeke dhe personalitete te shquara te mjeksise.

Top Channel