Fushatës elektorale në Shqipëri po i kushtohet vëmendje e veçantë nga mediat shqiptare në Shkup. Kjo për shkak të interesit të madh të shqiptarëve të Maqedonisë për zgjedhjet e pergjithshme në Shqipëri.

“Zhvillimet në Shqipëri gjithnjë kanë qenë në qendër të vëmendjes së shqiptarëve të Maqedonisë dhe normal edhe lajmet që vijnë nga Shqipëria zënë një vend të veçantë në gazetën tonë. Fushatën parazgjedhore në Shqipëri ne si gazetë e ndjekim vazhdimimisht, gati në detaje. Një faqe të gazetës ia kushtojmë fushatës parazgjedhore në Shqipëri”, tregon Anila Limani, redaktore në gazetën “Lajm”.

Ndërsa analisti Kim Mehmeti thotë se, përveç fituesit, shqiptarëve të Maqedonisë u intereson edhe mbarëvatja e zgjedhjeve në Shqipëri, ngaqë ata e identifikojnë veten me vlerat demokratike që i reflekton Tirana.

“Sali Berisha edhe mund t’i humbë zgjedhjet, por nëse qeveria e tij ia del të organizojë zgjedhje të lira, të cilat nuk do t’i kontestojë asnjë palë, ai me këtë Shqipërisë do t’i ofrojë një fitore madhore me të cilën do mund të mburret vetë ai dhe gjithë shqiptarët jashtë vendit. Në të kundërtën do vazhdojë demokratizimi i shoqërive shqiptare sipas formulës: nuk janë të rëndësishëm votuesit, por numëruesit e votave!”, nënvizon Mehmeti.

Zgjedhjet në Shqipëri edhe në të kalurën kanë tërhequr vëmendjen e shqiptarëve të Maqedonisë. Ata janë të interesuar që të jenë pjesë e platformarmave të partive politike në Shqipëri.

Viteve të fundit, intelektualët dhe shoqëria civile në Shkup vazhdimisht kanë kërkuar që Tirana zyrtare të tregojë sa më tepër kujdes për shqiptarët jashtë kufijve zyrtarë.

Top Channel