Qeveria greke ka mbyllur radiotelevizionin publik ERT duke e konsideruar si një “çerdhe shpenzimesh”. Teleshikuesit panë se si ekrani u bë i zi në mes të lajmeve gjatë pasdites së të martës.

Mijëra njerëz protestuan për këtë vendim të qeverisë jashtë ambienteve të ERT-së. Ky vendim u mor nga qeveria në kuadër të masave për të ulur shpenzimet në mënyrë që vendi të dalë nga recesioni.

“ERT-ja ka një mungesë të theksuar transparence dhe kjo gjë do të marrë fund tani”, kishte thënë më parë zëdhënësi i qeverisë, Simos Kedikoglou. 2500 punonjës tashmë kanë ngelur pa punë, por zëdhënësi ka sqaruar se ata do të kompensohen dhe do të kenë mundësi të rikthehen në punë kur të ketë një ristrukturim të ERT-së.

Unioni i Gazetarëve të Athinës ka lajmëruar dy ditë grevë për të protestuar ndaj mbylljes së televizionit publik. Vayia Valavaki, një punonjëse e ERT-së, theksoi për BBC se qeveria po mundohet të frikësojë njerëzit: “Tani jam një nënë beqare pa punë. Pse qeveria po më lë pa punë?”

ERT-ja ka nisur transmetimet në vitin 1938 dhe financohej nga një pagesë prej 4.5 eurosh që i shtohej faturës së energjisë elektrike. Ajo përbëhej nga tre kanale televizive, katër radio kombëtare, disa radio rajonale dhe një shërbim për jashtë që quhej Zëri i Greqisë.

Top Channel