Në vilën e presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, të premten është mbajtur mbledhja konstituive e komisionit hetimor për zbardhjen e ngjarjeve të dhunshme, që ndodhën në Kuvend vitin e kaluar.

“Prej nesër do të fillojmë seriozisht të punojmë për zbardhjen e këtyre ngjarjeve, në bazë të marrëveshjes që është arritur mes partive politike në Shkup dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kemi një afat prej 60 ditësh, që ta kryejmë këtë punë. Ne jemi për të verifikuar fakte dhe nuk do të sjellim vendime politike. Te palët e përfshira në këto ngjarje kam parë vullnet të mirë për zbardhjen e tyre dhe shpresoj se do të kemi sukses në punën tonë”, tha Borçe Davitkovski, kryetar i komisionit hetimor.

Takimi te presidenti maqedonas u mbajt pas mosmarrëveshjeve tremujore mes partive maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, për kryetarin e komisionit hetimor, i cili u zgjodh këtë të martë.

Formimi i këtij komisioni, që përbëhet nga dy anëtarë të opozitës dhe dy të partisë maqedonase në pushtet, është pjesë e marrëveshjes së 1 marsit, që çoi në zhbllokimin e krizës politike dhe evitoi bojkotin e zgjedhjeve lokale nga ana e opozitës maqedonase.

Më 24 dhejtor të vitit të kaluar, rojet e Kuvendit nxorrën me dhunë nga salla plenare, deputetët e opozitës, që kundërshtonin miratimin e buxhetit. Pas dëbimit të opozitës, por edhe të gazetarëve, mazhoranca miratoi buxhetin shtetëror pa debate.

Top Channel