Tropoja ka qenë ndalesa e radhës e Kryeministrit Berisha, prej nga u
bëri thirrje të gjithë qytetarëve që, pavarësisht bindjeve politike, të
bashkohen me Partinë Demokratike, për të vijuar rrugën e nisur për më
shumë punësim, investime dhe mirëqenie.

“Sot jam këtu për t’ju drejtuar një thirrje vëllazore të gjithë socialistëve të Tropojës dhe mbarë Shqipërisë, bashkohuni me ne, sepse ju bashkon me ne përpjekja për të ndërtuar një infrastrukturë dinjitoze moderne, kudo që ju jeni.Përpjekja jonë për krijimin e qindra mijëra vendeve të punës, përpjekja jonë e përbashkët për rritjen e pensioneve dhe rrogave, kjo është alternativa jonë, alternativë për çdo demokrat, socialist dhe pa parti”, tha Berisha.

Pas mitingut elektoral në Bajram Curr, Kryeministri Berisha ishte në Has ku deklaroi se krahas dy alternativave, më 23 qershor përballen dhe dy modele të ndryshme.

“Janë dy modele që keni përzgjedhur, modeli i përbashkët që keni i Sali Berishës dhe i juaji, i bazuar në djersën e ballit, i bazuar në guximin, në ndershmërinë, në punën me përkushtim për të zhvilluar Shqipërinë, për të rritur begatinë e familjeve tona, begatinë e Shqipërisë. Modeli i Edi Ramës, që nuk shkelte në zyrën e Bashkisë 270 ditë në vit, modeli që zhduket kohë të tëra dhe vetëm punën nuk e njeh se cfarë është”, tha Berisha.

Nga Hasi, Kryeministri ftoi edhe një herë qytetarët që më 23 qershor të votojnë për modelin që sic u shpreh ai, bashkon të gjithë shqiptarët.

“Le të zgjedhim modelin që na bashkon ne të gjithëve, demokratë, socialistë, pa parti, shqiptarët që duan Shqipërinë, shqiptarët që duan familjen, shqiptarët që duan dinjitetin, shqiptarët që duan begatinë”, tha Berisha.

Top Channel