Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker vlerëson se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve është model i mirë për tejkalimin e problemit bilateral mes Shkupit dhe Athinës, lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë.

Këtë qëndrim Reeker ia ka përcjellë të hënën në Shkup presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov dhe kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Është koncepti i njëjtë si ai mes Kosovës dhe Serbisë. Ata pranuan një drejtim përpara, duke u angazhuar në negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe arritën marrëveshjen e 19 prillit, ndërsa tani po punojnë në implementimin e saj. Jemi të kënaqur që ndëmjetësi Nimiç ka shtruar një propozim për zgjidhjen e emrit dhe besojmë se është momenti për të punuar në këtë çështje. Në e mbështesim proçesin për zgjidhjen e problemit të emrit, për tejkalimin e të cilit nevojitet vullnet dhe dëshirë”, ka deklaruar Reeker.

Zyrtari i lartë amerikan me autoritetet maqedonase ka folur edhe për nevojën e forcimit të dialogut politik në Maqedoni.

“Dialogu është shumë i rëndësishëm. Opozita konstruktive ka rol të rëndësishëm në çdo demokraci. Mendoj se dialogu në Maqedoni ishte sfiduar dhjetorin e kaluar, që ishte shumë evidente. Ne besojmë se rifillim i dialogut mes pushtetit dhe opozitës është një shenjë e mirë dhe paraqet mundësi për të përmisohet komunikimi politik”, ka thënë ai.

Në takimet e ndara që patën me zotin Reeker, presidenti Ivanov dhe kryeministri Gruevski thanë se prioritet kryesor i Maqedonisë është çelja e negociatave me Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi i vendit në NATO.

Top Channel