Ministrja e Jashtme e Italisë, Emma Bonino ka deklaruar në prag të
vizitës në Serbi dhe Kosovë, se po të ishte në dorën e Romës, Serbia më
28 qershor do ta merrte datën për fillimin e negociatave për anëtarësim
në BE.

Në një intervistë për “Veçernje Novosti”, ajo ka thënë se Italia, e cila ka besuar më shumë se të tjerat në rikthimin e Serbisë në Evropë, maksimalisht do të angazhohet që ky rezultat të arrihet.

Bonino ka theksuar se Beogradi ka rol strategjik në kuadër të rajonit dhe se Italia mendon se qeveria serbe është angazhuar seriozisht në realizimin e reformave.

“Përparimi që është arritur muajt e fundit, veçanërisht rezultatet në dialogun me Prishtinën, ka ndihmuar edhe BE-në që ka qenë në dyshim vetëm një vit më parë”, ka deklaruar Bonino.

Duke komentuar kushtin aq shumë të përfolur, se njohja e Kosovës është pika kryesore e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, Bonino ka thënë se nga Beogradi askush nuk po kërkon ta njohë Kosovën. Vizitën në Kosovë, Bonino do ta zhvillojë të mërkurën.

Top Channel