Dështon edhe elektronika e Tiranës

18/06/2013 23:20

“Atëherë, Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi: Zbatimin e procedurave të identifikimit, të regjistrimit, të pjesëmarrjes së zgjedhësve në ditën e votimit, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23, në mënyrë manuale dhe mosaplikimin e teknologjisë elektronike për këtë qëllim në qarkun e Tiranës. Kush është dakord? 4 vota pro, miratohet”.

Në këto pak sekonda vendimmarrje u miratua edhe dështimi zyrtar i teknologjisë së Tiranës, projekti për të cilin ishte kontraktuar kompania INDRA me një faturë financiare prej 2,6 milionë euro.

Sipas raportit të KQZ, kjo erdhi pasi testimi i projektit nuk përmbushte qëllimin e tij, për siguri dhe garanci në identifikimin e dokumentave të votimit.

Kjo, pasi 11% nga kartat e testuara nuk arritën të lexohen nga aparatura, për shkak se ishin të dëmtuara, theksohet në raportin e KQZ.

“A na solli testi siguri e garanci? Jo, dhe kjo është 100% e sigurt. Kushdo, që do ishte në karriget tona sot, do ta merrte këtë vendim”, tha Lleshi.

Por, vendimi për ta dështuar projektin teknologjik të Tiranës, për opozitën, është sabotim i qëllimshëm, që po shitet si dështim me nder i kompanisë.

Përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ, Genc Gjoncaj, renditi të gjitha shkeljet e afateve kohore me mbi tre muaj, që iu bënë projektit, duke i shtuar kësaj edhe faktin se KQZ nuk nxorri, në kundërshtim me kodin zgjedhor, asnjë akt për përdorimin e teknologjisë në Tiranë.

“Prandaj sot vërtetojmë dyshimin tonë, që qeveria në asnjë moment nuk ka dashur të realizohet ky projekt dhe nëpërmjet institucionit vegël, KQZ, po i jep goditjen e fundit projektit. Përfundimisht, në këtë dështim të orkestruar nga qeveria, KQZ është ligjërisht përgjegjësja për shpërdorimin e fondeve publike dhe cënimin e interesave të ligjshme të shtetit dhe shtetasve, me veprime e mosveprime që kanë shkaktuar pasojën e paligjshme të mos realizimit të projektit dhe dëmit ekonomik. Përgjegjësi e cila është administrative, penale dhe materiale”, tha Gjoncaj.

“Është e vërtetë që paratë u harxhuan dhe na vjen keq, por s’mund të rrezikonim procesin. Mbështes vendimin e KQZ-së”, tha Kosovrasti.

Dështimi i projektit të Tiranës vjen, pasi KQZ i ka paguar kompanisë INDRA 90% të faturës financare, rreth 2.4 milionë euro.

Sipas kontratës, kjo pagesë është bërë deri në fazën e përfundimit të testit, dhe 10 përqindëshi i mbetur do të paguhej ditën e zgjedhjeve, pavarësisht se në debatin e mbledhjes së KQZ-së, aspekti financiar ishte më pak i përmenduri.

“Sa është vlera e shpenzuar deri më sot për projektin? – pyeti Gjoncaj. – Më vonë, se nuk e kemi gati”, u përgjigj Lleshi.

Pas Fierit, projekti i zbatimit të teknologjisë për Tiranën është dështimi i dytë zyrtar  i miratuar në KQZ, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, dështime që, përvec se vendosin palët në pozicione edhe më të thella mosbesimi ndaj procesit, u paguan nga paratë e shqiptarëve, të dyja së bashku në vlerën e rreth 3.4 milionë euro, dëm për të cilin nuk ka një emër përgjegjës.

Top Channel