Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë si shtete vëzhguese në takimin ministror të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, që mbajt të martën në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shkup.

Prishtina, në këtë takim u përfaqësua nga ministri i saj i Jashtën, Enver Hoxhaj, ndërsa Beogradi nga ambasadori serb në Maqedoni.

Edhe përkundër këtij përfaqësimi, ulja në një tavolinë të përbashkët e përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë u mirëprit nga vendet anëtare të Kartës së Adriatikut (A5).

“Qëndrimi ynë është se iniciativat rajonale duhet të jenë gjithëpërfshirëse, në mënyrë që, kushdo që shpreh dëshirën të bëhet pjesë e çdo nisme rajonale, do të ketë mbështetjen e Maqedonisë. Ky është qëndrimi ynë dhe ka të bëjë edhe më interesin e treguar nga fqinjët tanë kosovar, të cilët u shprehen të gatshëm të bëhen pjesë e Kartës së Adriatikut”, tha Nikolla Popovski, ministër i Punëve të Jashtme në Maqedoni.

Zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Azinë, Philip Reeker, u bëri me dije edhe një herë vendeve të rajonit se, për të ecur përpara, fillimisht duhet të mbyllin të gjitha cështjet e hapura. Ai inkurajoi vendet pjesëmarrëse në takimin e sotëm ministror, që të thellojnë bashkëpunimin, pasi – sipas tij – një gjë e tillë sjell vetëm përfitime.

“Është e domosdoshme të mbyllen cështjet politike mes vendeve të rajonit. Jemi të kënaqur nga përpjekjet, që po bëjnë Kosova dhe Serbia në këtë drejtim. SHBA-të duan t’i çojne bisedimet në nivele të tjera, sepse duam që të tregohet respekt i ndërsjelltë, pasi e kemi të qartë se ky rajon, ose do të përparojë së bashku, ose do të mbetet i gjithi në vend”, tha Reeker.

Serbia, javën e kaluar, anuloi pjesëmarrjen në takimin e ministrave të Mbrojtjes, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, ndërsa në fillim të këtij muaji u anulua Samiti i presidentëve të rajonit në Ohër, pasi zonja Atifete Jahjaga nuk u ftua në takim nga kolegu i saj maqedonas, për shkak të presioneve nga pala serbe.

Top Channel