Kryeministri i Bullgarisë, Plamen Oresharski, kërkoi ndjesë për një emërim politik që ka nxjerrë popullin në protesta masive në rrugë, por theksoi se nuk do të kënaqë thirrjet për dorëheqjen e tij.

Manifestimet u motivuan nga emërimi i Delyan Peevskit, pronari i një rrjeti gjigant mediatik në vend, në krye të Agjensisë së Sigurisë Kombëtare.

Për protesuesit, është e papranueshme që Peevskit t’i jepet akses në njohjen e sekreteve më konfidenciale të shtetit, çka do ta shndërronte atë potencialisht në njeriun më të pushtetshëm të vendit, duke i dhënë mundësinë që t’i bëjë shantazh përfshi politikanëve apo biznesmenëve të përfshirë në afera të dyshimta.

Peevski është pronar i televizionit me audiencën më të madhe në Bullgari dhe gjithashtu i një të përditshme me dhjetëra mijëra kopie tirazh në ditë.

Një propozim i partisë së pakicës etnike turke, propozimi i Peevskit u rikthye për shqyrtim nga Parlamenti, por pavarësisht ndjesës publike, kryeministri shpreson që të vazhdojë emërimin e tij.

Ndërkohë, Oresharski refuzoi që të japë dorëheqje nga posti që mban prej vetëm tre javësh, në krye të një qeverie me bazë një koalicion të gjerë, të dalë nga zgjedhjet e majit.

“Kam bërë një gabim politik, për të cilin i kërkoj ndjesë jo vetëm Parlamentit, por edhe mijëra e mijëra bullgarëve që kanë dalë në rrugë për të protestuar. Këta njerëz kërkojnë dorëheqjen time dhe unë i kam dëgjuar këto thirrje, por nuk mund ta bëj diçka të tillë, pasi vendi do të zhytej në një krizë edhe më të thellë”, tha kryeministri.

Ishin protestat masive kundër varfërisë, shtrenjtimit të kostos së jetesës dhe korrupsionin, ato që sollën rrëzimin e qeverisë së mëparshme dhe që motivuan zgjedhjet e parakoshme në Bullgari, më herët gjatë muajit maj.

Top Channel