Pas vendimit të papritur të qeverisë greke për mbylljen e ERT-së për
arsye ekonomike, tani mbi televizionin publik grek ka rënë hija e
skandalit të shpërblimeve dhe shpenzimeve milionere.

Dyshimet kanë lindur pas disa lajmeve të publikuara në shtypin helen, që flasin për një seri raportesh të Trupës së Inspektorëve të Administratës Publike.

Këto të fundit zbulojnë rroga astronomike, shpërblime milionere në të zezë, tendera për shoqëri fantazmë, punësime ilegale dhe abuzime të tjera.

Më herët gjatë muajit, Këshilli i Lartë i Shtetit në Greqi anuloi vendimin e kryeministrit Samaras për mbylljen e ERT-së. Ai urdhëroi menjëherë lëshimin e sinjalit të kanalit shtetëror, deri në krijimin e një organizmi të ri televiziv.

Por, Këshilli i Lartë i Shtetit nuk dha një urdhër për anulimin edhe të pushimit nga puna të 2.700 nënpunësve të këtij institucioni, duke lënë çdo gjë të paqartë për sa i përket kontratave të tyre të punës dhe duke hedhur topin tek udhëheqja politike e vendit.

Mbyllja e ERT rrezikoi që të çonte Greqinë në zgjedhje të parakohshme, pas mosmarrëveshjeve të liderëve të koalicionit qeverisës.

Top Channel