Pushteti në Maqedoni përdor forma të ndryshme për të frikësuar gazetarët që kritikojnë funksionarët e qeverisë, ose merren me tema hulumtuese.

Ky është konstatimi i raportuesit të OKB-së për lirinë e shprehjes, Frank La Rue, pas skanimit të gjendjes së medias në Maqedoni.

Ai, gjatë një konfence për shtyp në Shkup, tha se Maqedonia në përgjithësi nuk ka problem me ligjet, por me zbatimin e tyre.

“Vlerësimi im i përgjithshëm është se sistemi legjislativ i Maqedonisë është i avancuar, por e njëjta gjë nuk vlen përsa i përket zbatimit të ligjeve në praktikë dhe politikave në realitet. Unë mund të konstatoj një tendencë të frikësimit të gazetarëve kritikë apo gazetarisë hulumtuese, sikurse përdorimit të fjalorit homofobik ndaj grupeve të ndjeshme në shoqëri. Mendoj se në Maqedoni ekziston një atmosferë frikësuese ndaj çdo forme të medias kritike që merret me çështje specifike hulumtuese, apo kritikuese ndaj funksionarëve aktualë në qeveri”, deklaroi La Rue.

I dërguari i posaçëm i OKB-së si shembuj konkretë të presionit ndaj mediave përmendi mbylljen e televizionit A1 dhe tre gazetave ditore dy vite më parë.

La Rue rekomandoi rishikimin e projekt/ligjit për media me të cilin, sipas tij, pushteti tenton të kufizojë edhe më tepër lirinë e shprehjes. Ai ftoi gazetarët në Maqedoni të mos frikësohen dhe të punojnë në mënyrë të paanshme.

Top Channel