Gjermania ka qenë ndër vendet që ka mbështetur fuqishëm vendimin e Bashkimit Evropian për miratimin e fillimit të negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Ministri i Jashtëm gjerman Gido Westerwelle u ka thënë homologëve të vendeve anëtare të BE-së në Luksemburg se Kosova e ka merituar fillimin e negociatave për MSA-në.

Por, përsa i përket Serbisë, Westerwelle ka insistuar që dhënia e datës së negociatave të anëtarësimit të shtyhet dhe që vendimi për të të merret në janarin e vitit të ardhshëm.

Sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, shefi i diplomacisë gjermane ka kërkuar që gjatë kësaj periudhe të vëzhgohet zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi nga ana e Beogradit.

Nga ana tjetër, ministrat e Jashtëm të vendeve të BE janë shprehur që Serbisë data e nisjes së negociatave të anëtarësimit të jepet në tetor.

Por vendimi përfundimtar për këtë do të merret në fund të javës, në samitin e krerëve të vendeve anëtare të bllokut evropian.

Sipas deputetit të CDU-së, Andreas Schockenhoff, Berlini zyrtar do të jëp dritën jeshile për Serbinë, por jo datën e saktë për hapjen e negociatave.

“Data konkrete do të jepet vetëm pas zbatimit të suksesshëm në praktikë të të gjithë marrëveshjes së arritur me Kosovën”, ka thën Schockenhoff për gazetën “Tagesspiegel”.

Sipas deputetit gjerman, Bundestagu po përgatitet për një vendim të tillë, të cilin do ta bëjë publik në fund të javës kancelarja Angela Merkel në samitin e BE-së.

Top Channel