Skënës politike në Maqedoini i është shtuar edhe një parti e re, Aleanca për Maqedoni Pozitive. Nismëtar për themelimin e këtij subjekti, që u promovua të mërkurën në Shkup është ish-kryeministri Vllado Buçkovski, gazetari Lupço Zikov dhe biznismeni Minço Jordanov.

Buçkovski tha se partia e re do të jetë befasia e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Mendoj se kjo parti do të sjellë një freski politike, do të rrisë konkurrencën dhe do të ndryshojë gjërat për mirë. Nuk pretendoj që brenda një nate të ndryshojmë situatën në vend, por jam i bindur se me paraqitjen e Alenacës për Maqedoninë Pozitive dhe me koalicionet eventuale me partitë tjera mund të ndërtojmë një bllok të fortë opozitar, që do të sjellë ndryshime në skenën politike në vend”, deklaroi Buçkovski.

Prioritet i kësaj partie do të jetë zhvillimi i ekonomisë, si kusht për një jetë më të mirë të qytetarëve të Maqedonisë. Në platformën e vet, subjekti i ri parashikon nxitjen e investimeve vendore, ndalimin e shpërnguljes së të rinjve, si dhe krijimin e 100 mijë vendeve të reja të punës.

Sa i përket problemit të emrit me Greqinë, Aleanca për Maqedoni Pozitive propozon hartimin e një strategjie kombëtare, që do të bazohet në respektimin e së drejtës së maqedonasve për indentitetin dhe gjuhën.

Top Channel