Një ditë pas ratifikimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi nga parlamenti kosovar, Bashkimi Europian pranoi çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e plotë të Serbisë në BE, bisedime që kushtëzoheshin nga disa vende anëtare të unionit me përmirësimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Lajmi u njoftua nga Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy që saktësoi se bisedimet do të nisin në janar të vitit të ardhshëm.

BE hapi dritën jeshile edhe për nisjen e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën. “Shpërblimi” i BE-së për dy vendet mbërrin pas marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve.

Marrëveshjet u nënshkruan në muajin prill në Bruksel me ndërmjetësimin e fortë të këtij të fundit.

Në 2010 Serbia ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndërsa në Mars të vitit të kaluar mori statusin e vendit kandidat.

Rruga e Serbisë drejt anëtarësimit të plotë në BE mbetet ende e gjatë, por sërish ajo është më afër se sa vendet e tjera të rajonit, si Shqipëria apo Maqedonia. Vendi ynë pritet që në dhjetor të marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa nisja e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë bllokohet nga Greqia për shkak të kontestit të emrit.

Top Channel