Përfaqësuesit e Bashkimi Demokratik për Integrim, partisë shqiptare, që është pjesë e koalicionit qeveritar në Shkup, kanë shprehur shqetësimin e tyre për ngecien e Maqedonisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Deputetja e kësaj partie, Ermira Mehmeti, tha se përgjegjësia e BDI-së në procesin e integimit të vendit është shumë e madhe, pasi kuadrot e kësaj partie drejtojnë ministritë përgjegjëse, që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.

“Unë besoj, që subjekti ynë politik do të bëjë një analizë serioze të rezultatit dhe mesazheve, apo konkluzioneve të Samitit europian, ku për Maqedoninë nuk u fol fare. Pas asaj, besoj që do të vijojë edhe një qëndrim politik, për atë se si do vazhdohet më tej”, tha Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Deputetja Ermira Mehmeti i është përgjigjur edhe kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili ka thënë se ndërkombëtarët janë duke ushtruar presion ndaj Maqedonisë, për të ndryshuar emrin kushtetues, duke u kërcënuar se do ta detyrojë BDI-në, që ta braktisë koalicionin qeveritar, me qëllim të rënies së qeverisë.

“Për momentin, nuk ka pasur një analizë të tillë, ka pasur vetëm një deklaratë paksa të çuditshme nga ana e kryeministrit të vendit, ku nuk pajtohem me vlerësimin e tij. BDI as nuk është në qeveri, për shkak se ia kërkojnë europianët apo ndërkombëtarët, as nuk mund të braktisë qeverinë për shkak se këtë ia kërkon dikush tjetër, përpos votuesve shqiptarë në Maqedoni”, u shpreh më tej Ermira Mehmeti.

Pas dështimit të Maqedonisë në Samitin e fundit të BE, ku vendi nuk mori datë për çeljen e negociatave, pati disa përplasje mes përfaqësuesve të partnerëve të koalicionit qeveritar, BDI dhe VMRO-DPMNE.

Madje, Antonio Milloshovski, që është deputet nga partia e kryeministrit Gruevski, fajësoi drejtpërdrejtë zv/kryeministrin për euro-integrim, Fatmir Besimi, dhe kërkoi dorëheqjen e tij.

Top Channel