Kroacia u bë anëtari i 28-të i Bashkimit Europian dhe mijëra njerëz pritën me entuziazëm këtë moment në qendër të Zagrebit, ku qielli u ndriçua nga fishekzjarret, ndërsa gjëmonte himni i Europës, “Oda e Gezimit” e Bethovenit.

Eamon Gilmore, zv/kryeministri irlandez, vend që ka presidencën e BE-së, u shpreh: “Ndërkohë që vjen mesnata, miqtë tuaj ndodhen këtu për t’ju përqafuar. Siç e do tradita irlandeze, u them qeverisë dhe popullit kroat qindra-mijëra mirëseardhje”.

Presidenti Ivo Josipovic e përshkroi këtë moment si historik që vjen gati dy dekada pas luftës së ashpër për pavarësi. Ndërsa Zoran Milanovic, kryeministri i vendit shpjegoi se “Kroacisë i shtohen përgjegjësitë”: “Cfarëdo të thuhet për ne, ju duhet ta dini që ne jemi një vend njerëzish racionalë që janë realistë për veten dhe vendin e tyre si dhe rolin e vendit të tyre në Europë dhe në botë. Kroacia nuk do të shkojë larg prej këtej, ne do të qendrojmë aty ku jemi, por me një përgjegjësi të re, përgjegjësi që do të ndihmojë vendet në rajon për të arritur kriteret e Bashkimit Europian sa më shpejt të jetë e mundur”.

Zyrtarët kroatë më pas vendosen shenjat e BE-së dhe hoqën pikat e kontrollit doganor në kufi me Slloveninë, ish-republika e parë jugosllave që iu bashkua bllokut si dhe në kufirin me Hungarinë.

Kroacia është anëtari më i ri i BE-së pas Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2007 dhe aplikoi për nisjen e negociatave 10 vjet më pare. Shkëputja e Kroacisë nga Jugosllavia çoi në luftën për pavarësi të viteve 1991-1995. Analistët dhe vëzhguesit thonë se entuziasmi është shënuar nga kriza në eurozonë si dhe nga problemet ekonomike të Kroacisë.

Shqetësimi për korrupsionin dhe krimin e organizuar ekziston ende. Vendi ende nuk do t’i bashkohet Eurozonës dhe as Shengenit. Megjithatë, dy të tretat e kroatëve votuan vitin e kaluar pro hyrjes në Bashkimin Europian.

Top Channel