Greqia dhe huadhënësit e saj ndërkombëtarë kanë rifilluar bisedimet për zhbllokimin e këstit të radhës të ndihmës ekonomike, pas një ndërprerjeje të negociatave, si pasojë e krizës politike që shkaktoi mbyllja e televizionit shtetëror, e cila solli edhe riformatimin e qeverisë.

Ekspertët e Trojkës, që po bisedojnë me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe kryesisht me ministrin e Financave, Janis Strunaras, kanë shprehur shqetësimin se Athina nuk ka kryer reformat e duhura strukturore në sektorin publik dhe se ka mbetur pas në programin e privatizimeve.

Mediat vendase, që i referohen burimeve të agjencisë Reuters, theksojnë se kreditorët e Greqisë- BE, FMN dhe BQE – po ushtrojnë përsëri presion mbi qeverinë e re Samaras, duke kërcënuar me ngrirje të këstit të radhës prej 8,1 miliardë euro, ose me lëvrimin e kësaj shume në këste më të vogla, deri në përmbushjen e kërkesave.

Athina zyrtare kishte premtuar se, deri në fund të qershorit, do të zbatonte një “skemë lëvizshmërie” për 12,500 nëpunës të aparatit shtetëror, të cilët brenda vitit, ose do të transferohen brenda këtij sektori, ose do të pushohen nga puna.

Nëse kreditorët anulojnë këstin e radhës, Greqia nuk do të mund të paguajë disa obligacione prej 2,2 milardë eurosh, që u mbaron afati në muajin gusht, dhe nuk mund të fillojë një program investimesh, për të përballuar recesionin ekonomik, që po mbyt vendin për të gjashtin vit radhazi.

FMN, që është pjesë e ndihmës kolosale prej 240 miliardë euro, që po merr Greqia në tre vitet e fundit, ka paralajmëruar se, nëse Athina nuk do të zbatojë urgjentisht disa reforma, që do të mbushin boshllëqet financiare në arkën e shtetit, do të tërhiqet nga ndihma ekonomike e shpëtimit për të dhe pasojat do të jenë katastrofike për vendin.

Top Channel