Mediat greke bëjnë me dije se presidenti i vendit, Karolos Papulias është takuar në mbrëmjen e së dielës me homologun e tij maqedonas, Gjorgje Ivanov, takimi i parë në një nivel të tillë mes dy vendeve.

Takimi i papritur është kryer pas kërkesës së presidentit maqedonas në Zagreb, ku dy udhëheqësit ishin të ftuar të merrnin pjesë në festimet e integrimit të Kroacisë në BE.

“Me nismën time jam takuar për herë të parë me presidentin grek dhe kemi biseduar hapur për dy vendet tona,qytetarët tanë dhe mënyrën se si mund të veprojmë ne presidentët në forcimin e bashkëpunimit të dy vendeve, sepse është detyra jonë të ndjekim tendencën pozitive që ka dhënë fryte mes qytetarëve të dy vendeve tona”, ka deklaruar Ivanov në shtypin maqedonas.

Sipas Ivanov, duhet të vazhdojnë bisedimet me homologun e tij grek, i cili nga ana e tij ka premtuar se do të ketë edhe rast tjetër për takime të mëtejshme.

Për mua, ka thënë Ivanov, ky takim është i rëndësishëm sepse ishte i pari në rang presidentësh qysh prej pavarësisë së Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Athina dhe Shkupi kanë thuajse dy dekada që nuk bien dakord në cështjen e emrit të Maqedonisë, fakt që ka ndikuar në marrëdhëniet tepër të ftohta diplomatike midis tyre, me kosto të madhe politike ndërkombëtare, sidomos për Maqedoninë.

Ndërsa qeveritë greke vazhdojnë të mos pranojnë asnjë emër tjetër përvecse një emri me përcaktim gjeografik të pranueshëm nga të gjitha palët, rreth një javë më parë Ivanov ka deklaruar se pozicionimi i tij është vetëm për emrin, Republika e Maqedonisë, pasi për këtë është betuar edhe para Kushtetutës dhe fjalet e tij kanë shkaktuar reagime të ashpra në qarqet e larta të politikës greke.

Top Channel