Breçani në Facebook: Të rrëzojmë Ramën

02/07/2013 00:00

Zv.drejtori për Sigurinë Publikë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, Erzen Breçani, i përfolur në media pas dhunës fizike ndaj operatorit të Top Channel në fillim të muajit prill, rikthehet sërish në qendër të vëmendjes.

Këtë herë Breçani është bërë protagonist në rrjetin social Facebook ku ka bërë thirrje për të rrëzuar Ramën nga pushteti. Në një postim të ditës së hënë zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit shkruan tekstualisht:

“Pershendetje liderit historik te shqipetareve Doktorr Sali Berishes e duam ndihmen tende se jemi mesuar me ty qe te na prish deri sa te largojm pinjollet e komunistave me ne krye edvin ramen ta largojm kete enver te dyte ne qe dikur studenta te 91 shembem diktaturen enveriste do gjejme forc dhe optimizem do te ngrihemi te tere se bashku me rinin qe te mos e leme kete hitler te gjunjezoj shqiptaret”.

Vetë zv.drejtori i Policisë së Tiranës ka reaguar ditën e martë. Ai ka pranuar që faqja e Facebook-ut ku është postuar ky koment i përket atij, por ka mohuar autorësinë e komentit.

Por postimi është kryer nga një aparat celular dhe shfajësimi i Breçanit se e komenti s’është i tij dhe se është bërë nga dikush tjetër rrëzohet, ose të paktën vetëm nëse dikush tjetër ka hyrë në telefon me fjalëkalimin e Facebook të Breçanit apo ka përdorur aparatin celular të vetë zv.drejtorit të policisë së Tiranës.

Breçani ka qenë në qendër të akuzave të opozitës lidhur me shkeljet e bëra në krye të detyrës. Po në muajin prill ai u përfshi në një debat përpara kamerave me 5 deputetë socialistë gjatë një operacioni për lirimin e një banese në Tiranë, ku personeli i një kompanie private të sigurimit fizik, ka përdorur edhe armët e zjarrit.

PS: Breçani të përjashtohet nga Policia e Shtetit

Një status në rrjetin social “Facebook” i zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Braçani, ka ngjallur reagimin e deputetëve socialistë, të cilët kanë kërkuar përjashtimin e tij nga Policia e Shtetit.

Breçani shkruan se të gjithë shqiptarët duhet gjejnë forcë dhe optimizën që të ngrihen për të larguar Edi Ramën, të cilin ai e cilëson nje Enver te dytë dhe Hitler.

Ai  thotë se duhet të jetë një organizim si ai i vitit 91, për të mos lënë Ramën që të gjunjëzojë Shqipërinë.

I menjehershem ka qene reagimi i deputetit socialist, Saimir Tahiri, i cili ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Breçanit.

Tahiri i bënë thirrje drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit që të shkarkojnë menjëherë zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës për të treguar se shteti, përgjegjshmëria publike përballë qytetarëve, janë principe që vlejnë pavarësisht se kush qeveris.

Saimir Tahiri mbyll komentin e tij, duke shkruar se nëse nuk e shkarkojnë dot, atëherë duhet të dilni publikisht për të motivuar heshtjen.

Ndërkohë, deputeti Taulant Balla thotë se nëndrejtori i policise bën thirje per dhune. “Kjo eshte veper e paster penale ne rrethana cilesuese per shkak te pozicionit qe mban”, thote Balla, i cili kerkon pezullimin e menjehershem te tij nga detyrat dhe nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranes.

Nga ana e tij, Breçani ka reaguar duke deklaruar se edhe pse faqja është në administrim të tij, postimi në fjalë nuk është kryer prej tij.

Breçani njihet per perplasjet e tij me drejtuesit e opozites, te fundit edhe gjate ketyre zgjedhjeve si edhe ishte ne qender te skandalit kur ushtroi dhune brenda ne komisariat mbi operatorin e “Top-Channel” pak muaj me pare.

Top Channel