Egjipt, grushti i shtetit rrëzon Morsin

03/07/2013 00:00

Mohammed Morsi nuk është më president i Egjiptit, pasi komandanti i ushtrisë, gjenerali Al-Sisi konfirmoi rrëzimin e tij nga pushteti mbrëmjen e së mërkurës, pas një grushti shteti të udhëhequr nga forcat e armatosura.

Në fjalimin televiziv, gjenerali Al Sisi ka komunikuar se Kushtetuta e Egjiptit është pezulluar dhe se kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të marrë drejtimin e vendit deri në zgjedhjet e reja.

Fjalimi i kreut të forcave të armatosura është pritur me brohoritje në sheshin Tahrir, ku janë mbledhur shumë protestues që kërkonin largimin e Mohammed Morsit, vendndodhja e të cilit për momentin nuk dihet.

Ndërkohë, rrjeti informativ amerikan CNN, duke cituar burime “të sigurta” brenda Egjiptit, thotë se gjasat janë që drejtimin e ri të vendit ta marrë Mohammed el Baradei, ish-drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Vetë El Baradei, lider i opozitës liberale, ka reaguar pas deklaratës televizive, duke thënë se udhëzuesi për periudhën post-Morsi, i hartuar më herët, shënon fillimin e ri pas revolucionit të janarit të vitit 2011.

Me herët, presidenti Morsi përsëriti ofertën e tij për një qeveri konsensuale, por refuzoi tërheqjen. Ndërsa një zëdhënës i Vllazërisë Myslimane, të cilës Morsi i përket, njoftoi në Twitter se një “grusht ushtarak shteti” ishte në zhvillim e sipër në Egjipt.

Mona al Qazzaz deklaroi për BBC se: “Frika ime më e madhe është t’i kthehemi një shteti ushtarak. Ushtria nuk duhet të bëhet pjesë e skenës politike”.

Ndërkohë, burime të tjera nga vendi i ngjarjes njoftuan në rrjetet sociale se protestuesit rivalë kishin filluar të gjuanin me gurë njëri-tjetrin.

Korrespondentët e BBC raportuan gjatë pasdites për një rritje të pranisë ushtarake në kryeqytet dhe për autoblinda që lëviznin nëpër rrugë.

Më herët krerët ushtarakë zhvilluan takime me figura politike dhe fetare për të diskutuar mbi situatën. Por partia në pushtet për Liri dhe Drejtësi, krahu politik i grupit Vëllezërit Myslimanë, nuk u përfshi në këtë dialog.

Kur kishte kaluar më shumë se një orë nga ultimatumi, përleshtjet shpërthyen gjatë natës mes dy grupeve protestuesish rivalë, që lanë të paktën 16 persona të vdekur në Universitetin e Kairos.

Kundërshtarët e zotit Morsi deklaronin se ai dhe Vllazëria Myslimane po nxisnin një axhendë islamike në Egjipt dhe për këtë duhet të tërhiqen.

Në një deklaratë sfiduese të mbajtur të martën në televizion, zoti Morsi deklaroi se ai do të jepte jetën e tij për të mbrojtur legjitimitetin kushtetues dhe fajësoi për trazirat korrupsionin dhe mbetjet e regjimit të rënë të Hosni Mubarak.

Kreu i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al Sisi raportohet se u takua me komandantët më të lartë të mërkurën, për të diskutuar detajet e periudhës post-Morsi.

Plani i ushtrisë, sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, përfshin përcaktimin e zgjedhjeve të reja presidenciale, pezullimin e kushtetutës së re dhe shkrirjen e parlamentit.

Anëtarë të lëvizjes rebele Tamarod, që ka mobilizuar miliona demonstrues në rrugë për të kërkuar largimin e zotit Morsi, ishin gjithashtu pjesë e takimit.

Top Channel