I menduar fillimisht për t’i falur shkelesit e ligjit në veri të Kosovës me qëllim integrimin e tyre, projektligji për amnistinë duket se përmban edhe objektiva të tjerë.

Pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë akuzojnë qeverinë se po shfrytëzon konsesusin e klasës politike për marrëveshjen me Serbinë, për të çuar përpara një ligj të dëmshëm për demokracinë.

Në grumbullin e madh të veprave penale për të cilat parashikohet amnistia janë edhe ato që prekin funksionarë publikë të politikës kosovare.

“Unë e shoh të pakuptimtë përse duhet liruar dikush që ka bërë vepër të rëndë penale. Kjo është për ish-funksionarët publikë të komunave. Nëse amnistohet edhe keqpërdorimi i sigurimit social, kjo i leverdis një deputeti të Kosovës që ka probleme në Zvicër. Po mundohet që kjo situatë të menaxhohet në mënyrë perfide”, deklaron Driton Selmanaj, nga instituti KDI.

Më shumë fat duket se kanë edhe abuzuesit e ligjit në sferën ekonomisë. Projektligji parasheh amnisti të plotë për të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin e krimit ekonomik në Kosovë.

Në këtë pikë, pjesëtarë të shoqërisë civile e vlerësojnë si të paarsyeshme faljen e veprave penale si shmangie nga tatimi, kontrabandim i mallrave, keqpërdorim të autorizimieve ekonomike etj.

“Është e paarsyeshme që vepra penale ekonomike të amnistohet, qoftë për ata që ndiqen penalisht, qoftë për ata që janë dënuar. Kjo do të thotë se ata do të falen dhe do vijojnë jetën e ligjshme me fitime të siguruara në mënyrë ilegale”, vlerëson Fisnik Korencia nga Grupi për Studime Juridike.

Pushteti gjyqësor është duke heshtur përballë dyshimeve mbi përmbajtjen e këtij projektligji. Kjo sigurisht edhe për faktin se projektlgiji si i tillë është hartuar në bashkëpunim me Këshillin prokurorial e gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor.

Nga ana tjetër shoqëria civile kërkoi që deputetet e Kuvendit të Kosovës të dëshmojnë se përfaqësjone interesat e qytetarëve të vendit e jo interesat e një klase të caktuar politike. Të entjen Kuvendi pritet të vendosë në parim për projektligjin e amnistisë.

Top Channel