Gara për kryetarin e ri të Partisë Demokratike është zyrtarisht e hapur! Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi konkurojnë përballë njëri-tjetrit si kandidatët e përzgjedhur nga kryesia për të marrë besimin e anëtarësisë dhe për te drejtuar Partinë Demokratike në opozitë.

Kohëzgjatja e fushatës do të jetë 18 ditë. Një periudhe kjo që Sali Berisha e sheh të rëndësishme për sjelljen jo vetëm të anetarësisë, por edhe të kandidatëve.

”Është caktuar data 22 për votimin e përgjithshëm për Kryetarin e ri. Detyra e anëtarësisë së Partisë Demokratike është të japë percesin më dinjitoz që ka dhënë ndonjëherë, pastaj besoj që të dy kandidatët janë plotësisht të përgatitur për të pranuar me qetësi verdiktin e anëtarësisë së partisë”, deklaroi kryeministri Berisha.

Pranimin e rezultatit e konfirmuan vetë edhe dy kandidatët zyrtarë për postin e kreut të Partisë Demokratike, të cilët dolën nga selia menjëherë pas njeri-tjetrit, duke dhene mesazhet që i gjykojnë më të rëndesishme në këtë fillim fushate të paprecedente për partinë demokratike.

”Nuk po bëjmë fushatë në një terren të panjohur, po bëjmë fushatë në strukturat e partisë, të cilat i njoh shumë mirë. Dua të falenderoj kryesinë për vendimin që mori dhe jam i bindur që do të zhvillojmë një garë dinjitoze, shumë pozitive dhe e cila do t’i japë strukturave të Partisë Demokratike mundësinë që të gjykojë dhe të arrijë me një vendim me votën e vet të datës 22 korrik”, deklaroi Olldashi.

Nga ana e tij, zoti Basha theksoi: “Kryesia ka marrë vendimin sot për zyrtarizimin e kandidaturave. Natyrisht, dua të shpreh mirënjohjen time për këtë vendim si edhe bindjen time që nga ky proces do të dalim më të vendosur dhe më të bashkuar”.

Dy kandidatët do të bëjnë fushatë të ndarë dhe për organizimin e takimeve të secilit, Sali Berisha tha se do të kujdesej vetë.

Ai u kërkoi dhe një here strukturave partiake nga qendra në bazë që të mos ngurojnë të bëjne fushatë për kandidatin që duan, por me kushtin që, më parë të japin dorëheqjen për të mos ndikuar votën e anëtarëve. Duke i kërkuar anëtarësisë të mos ndikohet nga asnjë ndërhyrje, Sali Berisha rikonfirmoi qëndrimin e tij neutral.

”Është një orë e veçantë për ju, të refuzoni me përçmim çdo lloj ndërhyrjeje në ndërgjegjen tuaj, të çdolloj e cilitdo. Përpjekje të dështuara bëhen nga segmente të caktuara të atyre që kontrollojnë mediat nga botë me të cilën ne s’na lidh asgjë, nga të huaj sharlatanë të cilët harrojnë që kur tentojnë të ndërhyjnë në këtë mënyrë janë thjesht një gjel në pleh dhe asgjë tjetër. Por, ndërgjegjia, integriteti juaj është më i lartë se çdo kush tjetër, ndaj dhe kërkoj nga anëtarësia e Partisë Demokratike, të refuzojmë me përçmim përpjekjen për të ndërhyrë, nga Sali Berisha nuk keni asnjë përpjekje, zero. Detyra ime dhe e juaja është ta nxjerrim procesin në bregun e fitores, siç na takon”, theksoi Berisha.

Top Channel