Shqiptarët e Maqedonisë e kanë festuar me shumë aktivitete 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Komunën Çair të Shkupit, të banuar në shumicë nga shqiptarët, me rastin e kësaj date, një rrugë është emërtuar me emrin e presidentit amerikan, Ronald Regan.

Në këtë ceremoni, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shkup, kryetar i komunës, Izet Mexhiti, tha se emërtimi i kësaj rruge me emrin e presidentit amerikan bëhet në shenjë mirënjohjeje, për kontributin që kanë dhënë SHBA-të për shqiptarët.

“Në komunën e Çairit, po e festojmë këtë ditë, siç festohet edhe në vende të tjera, në Kosovë e Shqipëri, në shenjë falenderimi ndaj shtetit mik. Nëse në të kaluarën, Çairin e ka karakterizuar rruga Xhon Kenedi, kjo rrugë – që prej mbi 40 vjetësh ka mbajtur emrin Vasil Çakallarov – prej sot e tutje do të emërtohet zyrtarisht me emrin e presidentit amerikan, Ronald Regan”, është shprehur kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

“Ishte kënaqësi e madhe për mua, që të kujtojmë një emër të madh, siç është presidenti Ronald Regan, me të cilin është emërtuar kjo rrugë. Por mua, si përfaqësues i Ambasadës, ky rast më paraqet nder të veçantë edhe për një arsye tjetër, sepse një pjesë të shërbimit ushtarak, në ushtrinë amerikane, e kam kaluar në një anije, që mbante emrin e presidentit Ronald Regan”, ka deklaruar Spenser Grens, përfaqësues i Ambasadës amerikane në Shkup.

Për nder të kësaj date, gjatë ditës së enjte, aktivitete të ndryshme janë organizuar edhe në Univesitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Europës Jug-lindore, ndërsa festimet u mbyllën në mbrëmje, me një koncert në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

Top Channel