Ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Dirk Brengelman i ka bërë me dije edhe njëherë autoriteteve të Shkupit se, pa zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë, Maqedonia nuk mund të anëtarësohen në aleancën Veri-Atlantike.

Gjatë takimeve me zyrtarët më të lartë në Shkup, zoti Brengelman ka kërkuar që qeveria të vazhdojë me implentimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimin e përcaktimeve tjera, siç është sundimi i së drejtës, pavarësia e gjykatave dhe liria e mediave.

“Është e rëndësishme që të shohim zbatimin e marrëveshjes politike të marsit dhe zhvillimet rreth ligjit të mediave. Të gjitha këto janë të rëndësishme për ne sepse NATO është edhe organizatë politike. Rëndësi të veçantë për ne ka edhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, sepse ka të bëjë me ngjarjet që ndodhën 10 vite më parë në Maqedoni, në të cilat ishte përfshirë dhe misioni i NATO-s”, ka deklaruar Brengelman.

Ndërsa ministri i Mbrotjes, Talat Xhaferi e ka njoftuar përfaqësuesin e lartë të NATO-s për reformat në fushën e mbrojtjes dhe ka hedhur poshtë zërat për mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

“Informova që çështja e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm është e pamundur në Maqedoni. Në aspekt të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit si proces, Ministria e Mbrotjes dhe armata në kontinuitet përcjellin përcaktimet për zbatimin e plotë të saj”, ka thënë Xhaferi.

Autoritetet e Shkupit e kanë informuar ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s edhe me ftesën e kryeministrin Nikolla Gruevski drejtuar kolegut grek Andonis Samaras, për një takim gjatë kësaj jave për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhjeje për problemin 20-vjeçar mes dy vendeve, atë të emrit të Maqedonisë.

Top Channel