Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski ende pret përgjigje nga homologu i tij grek Andonis Samaras, në lidhje me letrën që i ka nisur atij javën e kaluar, përmes së cilës i kërkon një takim të shpejtë për të biseduar rreth problemit bilateral të emrit.

“Deri tani nuk kam marrë përgjigje, edhe pse ka kaluar rreth një javë që kur kam dërguar letrën. Shpresoj se në ditët në vijim do të marr përgjigje pozitive. Nëse ka përgjigje pozitive dhe nëse fillojmë me dialog intensiv, ka gjasa që të arrijmë tek zgjidhja, sepse zgjidhja vjen vetëm me dialog. Nëse nuk ka dialog, nuk ka zgjidhje. Nëse ka dialog, ka gjasa për zgjidhje!”, ka deklaruar Gruevski.

Këto komente Gruevski i ka bërë gjatë vizitës së tij në Lituani, prej nga edhe një herë akuzoi Athinën se nuk është e angazhuar sa duhet për zgjidhjen e problemit 20-vjecar që ka të bëjë me emrin kushtetues të Maqedonisë.

“E drejta ndërkombëtare është në anën tonë, por anëtarësimi i Greqisë në BE dhe NATO është në anën e tyre. Fuqia e vetos që kanë në dorë është në anën e tyre. Ne përpiqemi që të nisim dialog me ta, që është problemi më i madh për momentin, sepse kemi ndjenjën se nuk janë aq të fokusuar në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe dialogun me ne”, ka vijuar Gruevski.

Kryeministri maqedonas ka shtuar më tej se Shkupi para shumë viteve ka përmbushur kriteret për celjen e negociatave me Bashkimin Evropian, por kjo nuk po ndodh për shkak se ky proces po mbahet i bllokuar nga Athina zyrtare.

Top Channel