Shefja për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, ka thënë se Serbia është një shembull dhe ka politika, që janë për t’u admiruar.

Me fjalë të ndjeshme dhe inkurajim, ajo u ka sugjeruar serbëve, që të vazhdojnë procesin e normalizimit me Kosovën, gjithnjë duke e kuptuar si proces, që do të zgjasë.

“Zoti president, zoti kryeministër. Ka qenë një privilegj i madh për të punuar përkrah jush. Pres që të vazhdojmë së bashku punën tonë dhe Serbia të shkojë përpara drejt Bashkimit Europian”, tha Catherine Ashton.

Gjatë vizitës në kryeqytetin serb, ajo është takuar me tre liderët kryesorë serb, presidentin Tomisllav Nikoliç, kryeministrin Ivica Daçiç dhe zv/kryeministrin Aleksandar Vuçiç.

Presidenti serb tha se Serbia është e përkushtuar, por serbët nuk duhet të kenë frikë, pasi në veri Prishtina nuk do të ketë shumë ndikim.

“Ne vet kërkojmë, që të rregullojmë jetën në Kosovë e Metohi. Ne duam të mundësojmë, që të gjithë atje të jetojnë mirë. Administrata e Prishtinës të kryejë detyrat e saj dhe kompetencat, por që komuniteti serb të funksionojë pa u penguar dhe në pajtim me rezolutën serbe dhe kushtetutën e Serbisë. E keni parë, që kemi komunikim të hapur me ata që përfaqësojnë institucionet e Serbisë, pasi mendojmë se është mirë, që për çdo problem të flasim hapur” tha Tomisllav Nikoliç.

Daçiç theksoi se Serbia e ka të nevojshme të zgjidhë shumë çështje, si ato të pronave dhe të kishës. Ashton vazhdon vizitën e saj në Kosovë, në mbështetje të zbatimit të marrëveshjes për normalizim.

Top Channel