Përkeqësimi i raporteve mes dy partnerëve të koalicionit qeveritar në Shkup, kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kreut të BDI-së Ali Ahmeti, mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Për mosmarrëveshjet me partnerin shqiptar të koalicionit, ka folur vetë kryeministri Gruevski, i cili ka thënë se marrëdhëniet me BDI, në dy mandatet e qeverisjes, nuk janë të njëjta. Në mandatin e dytë, sipas kryeministrit, raportet janë përkeqësuar, por akoma janë në nivelin e përmbajtur.

Deklarata e kryeministrit maqedonas, për ftohjen e raporteve në koalicionin qeveritar, shihet nga analistët si përgatitje e opinionit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas analistëve, përfitimi i Gruevskit nga mbajtja e zgjedhjeve do të ishte i dyfishtë. Ai, në këtë mënyrë, do të shmangte presionin ndërkombëtar për zgjidhjen e problemit bilateral me Greqinë, lidhur me emrin, dhe do të shfrytëzonte momentin, për të fituar pa problem edhe një mandat, kundrejt opozitës maqedonase, e cila ende nuk po arrin të konsolidohet.

Nëse realizohen parashikimet e analistëve, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen deri në fund të vitit, ose në pranverën e vitit të ardhshëm, bashkë me zgjedhjet presidenciale.

Por, për të realizuar këtë skenar, që duhet të marrë dritën jeshile edhe nga Parlamenti, Gruevskit i nevojiten edhe votat e partnerit shqiptar, BDI.

Nga partia e Ali Ahmetit thonë se nuk janë të interesuar për zgjedhje të parakohshme, pasi dy partitë kryesore në pushtet kanë legjitimitet të plotë për të çuar mandatin deri në fund.

Zyrtarët e subjektit shqiptar në pushtet vlerësojnë se vendi ka nevojë urgjente për zhbllokimin e proceseve euroatlantike. Ata kanë kërkuar më tepër angazhim nga partneri maqedonas, për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Përfaqësuesit e BDI-së janë shprehur të gatshëm të bisedojnë për gjithçka, por vetëm pasi të tejkalohen çështjet e lart përmendura.

Top Channel