Gati 26 ditë pas vendimit të Këshillit të Lartë të Shtetit, prej mëngjesit të së mërkures në valët e kanalit televiziv shteteror të Greqisë është shfaqur sinjali i ri me siglën e re të organizmit të përkohshëm televiziv.

Sigla pasqyron një glob me disa vija me ngjyra që nënkuptojnë gjithë forcat politike të vendit dhe logon e re me inicialet EDT, dmth, Televizionin Publik Grek.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, bëhet fjalë për periudhën tranzitore të televizionit publik, i cili mund të mos ketë fillimisht kanal radiofonik dhe se për tre muaj do të fillojë punën organizmi i ri televiziv, në të cilin nënpunësit dhe gazetarët do të zgjidhen në bazë të meritokracisë.

Kanali shtetëror televiziv ERT u mbyll në 11 qershor, pas një vendimi rrufe të qeverisë greke, duke hedhur në rrugë rreth 2.700 nënpunës me pretekstin se do të ristrukturonte këtë organizëm duke zvogëluar numrin e nënpunësve të tij, si dhe shpenzimet, në kuadrin e masave të imponuara nga kreditorët e huaj.

Mbyllja e ERT shkaktoi krizë politike në vend dhe një prej tre partive të koalicionit qeverisës e braktisi atë, ndërsa kryeministri Samaras reformatoi qeverinë.

Në negociatat e javëve të fundit midis ministrit përkatës për televizionin publik dhe nënpunësve të ERT ende nuk po gjendet një gjuhë e përbashkët, në radhë të parë për fillimin e punës të kanalit tranzitor dhe më pas të organizmit të ri televiziv.

Shfaqja e sinjalit të ri, i cili thuhet se lëshohet nga studiot e një kompanie private në Athinë, është dënuar nga nënpunësit e ERT-së, si dhe nga Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit.

Ndërkohë, 2.600 nënpunës të ERT-së vazhdojnë për më se një muaj brenda ndërtesave të këtij institucioni të transmetojnë edicione lajmesh në valë satelitore dhe në website duke informuar më shumë se 2.000.000 grekë për problemet e kësaj kompanie që sipas tyre është keqpërdorur nga çdo qeveri si dhe për gjithçka që ndodh në Greqi dhe jashtë saj.

Top Channel