Paralelisht me zyrën kryeministrore në Athinë, edhe Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se, më 8 gusht, udhëheqësi grek Andonis Samaras do të takohet në Uashington me presidentin amerikan Barak Obama.

Kjo është vizita e parë zyrtare e kreut të qeverisë greke në Uashington, pothuajse një vit pas zgjedhjeve parlamentare, që sollën konservatorët në fuqi, në krye të një koalicioni qeveritar.

Vizita e tij është arritur pas disa muaj përpjekjesh dhe kontaktesh diplomatike midis dy vendeve, në një moment tepër delikat për Athinën, kur ka shumë dyshime për suksesin e programit të reformave, që ajo po zbaton nën presionin e kreditorëve të huaj.

Sipas palës amerikane, vizita do të theksojë edhe njëherë fuqizimin e marrëdhënieve  SHBA-Greqi, si rrjedhojë e interesave të përbashkëta dhe partneritetit në NATO, duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve, në përpjekjet e Greqisë për të përmirësuar zhvillimin ekonomik dhe për rikthimin e mirëqenies në vend.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet gjithashtu se, në axhendën e bisedimeve midis dy udhëheqësve do të jenë kryesisht tema, që i përkasin ekonomisë dhe çështjeve gjeostrategjike.

Konkretisht, Barak Obama pritet të shtrojë përballë Samaras, çështjet e interesave të përbashkëta në fushën e energjitikës, të bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes, të bashkëpunimit rajonal, të përpjekjeve të të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit, të zhvillimeve në Qipro, në Afrikën e Veriut, si dhe të luftës civile në Siri.

Top Channel