Itali, Senatori për ministren: Një orangutangu

15/07/2013 00:00

Senatori italian, Roberto Calderoli është vënë nën presion që të kërkojë ndjesë për komentet ofenduese ndaj të parës ministre me ngjyre të kabinetit, për të cilën tha se i kujton orangutangun.

“Kur shoh Kyenge nuk mund të mos mendoj, edhe pse e them që nuk është, një orangutangu”, ishte komenti i zv.presidentit të Senatit italian, Calderoli.

”Suksesi i ministres së Integrimit, Cecile Kyenge inkurajon ardhjen e klandestinëve në Itali”, shtoi Calderoli, përfaqësues i forcës radikale të krahut të djathtë, “Lega Nord”, e njohur për qëndrimin e saj kundër emigrantëve.

Deklarata e Calderolit shkaktoi një furtune të vërtetë, ndërsa kryeministri Enrico Letta tha se me këto pohime,
senatori kapërceu çdo kufi. Ai kërkoi nga Maroni, kreu i “Lega Nord” që ta mbyllë menjëherë këtë kapitull.

“Kjo që po ndodh është një tjetër faqe e turpshme e vendit tonë mbi këto tema. Italia sot ndodhet në qendër të vëmendjes së shtypit botëror për shkak të kësaj cështje. Është një turp që lëndon Italinë”, deklaroi kryeministri Letta.

Ai më pas i kërkoi kreut të “Lega Nord” që të tërhiqet menjëherë nga deklarata të tilla dhe të kërkojë falje kundrejt anëtares me ngjyrë të kabinetit të tij.

“I bëj thirrje Maronit që të mbyllë njëherë e përgjithmonë dhe me shpejtësi këtë faqe të turpshme, përndryshe hyjmë në logjikën e përplasjeve që nuk i shërbejnë atij, s’i shërbejnë asnjërit dhe s’i shërbejnë Italisë”, shtoi kryeministri italian.

Kyenge është shtetase italiane, e lindur në Republiken Demokratike të Kongos. Ky është incidenti më i fundit me sfond racor në vend.

Top Channel