Kryeministri Nikolla Gruevski ka fituar procesin gjyqësor kundër kryetarit të Partisë së re Socialdemokrate, Tito Petkovski, i cili duhet të paguajë 10 mijë euro dëmshpërblim për dëmtimin e imazhit të kryeministrit maqedonas.

Gruevski kishte paditur Petkovskin për shpifje, pasi ky i fundit kishte deklaruar në mediat maqedonase se, kryeministri në vitin 2008 kishte rënë dakord për ndryshimin e emrit, respektivish kishte pranuar propozimin që vendi të quhet Republika e Maqedonisë (Shkupi).

Avokati i Gruevskit u shpreh i kënaqur nga aktvendimi gjyqësor, pasi siç tha, në këtë mënyrë u vërtetua se deklarata e Petkovskit ishte e pavëretetë.

“U vërtetua në tërësi përgjegjësia për deklaratën tendencioze të Petkovskit. Kjo lëndë, në aspektin juridik ishte e thjeshtë pasi të thënat e pavërteta nuk kishte si të mohoheshin dhe i akuzuari as që tentoi në çfarëdo mënyre t’i mohonte ato, përveç me shpërqendrimin e gjykatës dhe opinionit në një materie krejt tjetër, që nuk ishte lëndë e kërkesës së padisë”, ka deklaruar Nikolla Dodevski.

Pala mbrojtëse paralajmëroi ankimim tek instancat më të larta gjyqësore, pas marrjes së verdiktit gjyqësor në formë të shkruar.

“Nuk dëshiroj tani të komentoj asgjë rreth kësaj, deri sa të marrim vendimin në formë të shkruar, që të shohim se në çfarë bazohet pranimi i kërkesës paditëse. Pjesa më e diskutueshme ka të bëjë me vlerën e kompensimit që u kërkua. Sigurisht që ne do të dërgojmë ankesë dhe në të do të shënojmë gjithçka që mendojmë”, ka deklaruar Oliver Ristovski, avokat mbrojtës i Tito Petkovskit.

Në seancën e parë gjyqësore, Gruevski, duke mbrotjur padinë, ka thënë se asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë propozim për ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe se shpifja e Petkovskit i ka shkaktuar shqetësime.

Top Channel