Meta, pas 7 vitesh në selinë e PS

15/07/2013 00:00

Edi Rama dhe Ilir Meta, dy liderët e koalicionit fitues të zgjedhjeve të 23 qershorit, janë takuar në selinë e PS. Meta pas shumë vitesh ka ngjitur shkallët e PS ku për rreth 1 orë është takuar me Ramën në zyrën e tij në katin e dytë të PS.

Burime nga PS i thanë Top Channel se Rama së bashku me Metën kanë ndjekur zhvillimin e senacës në KQZ ku është diskutuar për mandatin e qarkut Lezhë dhe atë të Kukësit.

Zyrtarisht PS dhe LSI-ja nuk kanë dhënë detaje të këtij takimi, ku padyshim përveç zhvillimeve në KQZ duhet të jenë biseduar edhe çështje që lidhen me qeverinë e re.

Ajo që pritet nga të dy liderët është përcaktimi jo vetëm i programeve, por edhe i përbërjes së qeverisë së re. Për këtë të fundit ka ende shumë mister, edhe pse nëpër korridore qarkullojnë shpesh herë emra të ndryshëm për ministra apo lista ministrish.

Kjo ishte vizita e parë e kreut të LSI në sëlinë e PS që prej 26 majit 2006, kur Meta nënshkroi së bashku me Ramën dhe aleatët e tjerë të majtë një marrëveshje që i parapriu zgjedhjeve lokale në 2007.

Gjatë ditëve të shkuara Meta dhe Rama janë parë të takohen sistematikisht në ambiente të ndryshme të Tiranës, por edhe në bregdet, në jug të vendit.

Të tilla takime pritet të intensifikohen në ditët në vijim pasi struktura e qeverisë së ardhshme dhe emrave që do të përbëjnë kabinetin Rama krahas diskutimeve brenda strukturave të PS dhe LSI mbeten një ekskluzivitet i dyshes Rama-Meta.

Top Channel