Greqia është paralizuar të martën nga greva e radhës e përgjithshme, 24-orëshe, e organizuar nga dy sindikatat kryesore.

Bëhet fjalë për ADEDY dhe GSEE, që përfaqësojnë sektorin publik dhe atë privat, të cilat reagojnë ndaj projektligjit të qeverisë për punonjësit e këtyre kategorive.

Pr/ligji parashikon shkarkimin e mijëra punonjësve shtetërorë brenda vitit 2014 dhe përcaktimin e një page bazë për ata të sektorit privat, me një vendim të thjeshtë të ministrit të Punës.

Ndërkohë, për sot në Athinë janë parashikuar edhe dy protesta të mëdha, sërish kundër masave antikrizë të qeverisë Samaras, me kërkesë të Trojkës së përbërë nga BE, FMN dhe BQE.

Pak ditë më parë shteti helen siguroi këstin e radhës të fondeve, që janë duke mbajtur vendin gjallë. Paratë, në shumën e 6,8 miliardë euro, do të jepen nga grupimi i sipërpërmendur.

Megjithatë, Trojka vuri në dukje se programi i reformave të vendit po ecën shumë ngadalë dhe shtoi se perspektiva ekonomike e vendit mbetet e paqartë.

Huadhënia i është kushtëzuar Greqisë me progresin e programit të reformave, pasi kreditorët kanë paralajmëruar se vendi është mbrapa planit, veçanërisht sa i përket privatizimit të aseteve shtetërore.

Top Channel