Pasi ka mbërritur në mesditën e së enjtes në një Athinë gjysmë të shkretuar nga masat drakoniane të policisë, ministri gjerman i Financave në vizitën e tij të parë në Greqi është takuar me kryeministrin Samaras, zv.kryeministrin Venizellos, homologun e tij Janis Sturnaras dhe një sërë ministrash të tjerë, në një vizitë që interpretohet si mbështetje e plotë e Berlinit ndaj Athinës zyrtare në rrugën e saj të vështirë.

Duke shprehur kënaqësinë për votimin e projektligjit të reformave nga Parlamenti disa orë më parë, Wolfgang Schaeuble ka theksuar para Samaras faktin se Greqia ka bërë shumë përpjekje dhe tashmë gota është më shumë e mbushur se sa e zbrazur.

“Unë jam shumë i impresionuar nga ajo që Greqia ka arritur tashmë në ribalancimin dhe modernizimin e ekonomisë dhe reduktimin e defiçitit publik. Kjo më jep besimin se Greqia do të dalë fitimtare në sfidat që vijne”, ka deklaruar Schaeuble.

Duke parlajmëruar se kriza e euros ende nuk ka kaluar, ministri gjerman ka bërë thirrje që Greqia të mos kërkojë një reduktim të ri të borxhit. “Unë do të bëj një vërejtje shumë serioze. Do të kerkoja nga të gjithë ju të mos vazhdoni ndërkohë te diskutoni për një reduktim të ri të borxhit. Nuk është në interesin tuaj”, ka nënvizuar Schaeuble.

Athina zyrtare nuk priste nga Schaeuble një ndihmë ekonomike, por mbështetje politike, ndërsa mediat e huaja e kanë konsideruar këtë vizitë, pikërisht dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, si një mesazh stabiliteti që Berlini u jep tregjeve financiare duke përkrahur Athinën.

Por për opozitën greke ardhja e tij është veçse një karamele, një aspirinë për të sëmurin që kërkon ilaçe shumë më efikase. Radikalët e Majtë dhe jo vetëm, kanë shigjetuar qeverinë që nuk ka përmendur fare çështjen e dëmshpërblimeve gjermane të Luftës së Dytë Botërore dhe kanë kritikuar urdhërin e ndalimit të protestave në kryeqytet deri në largimin e funksionarit gjerman, një figurë antipopullore për grekët.

Top Channel