Kryetari i komisionit hetimor për zbardhjen e ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, Borçe Davitkovski, ka dhënë dorëheqjen për shkak të pamundësisë për të harmonizuar me anëtarët e komisionit konkluzionet finale rreth ngjarjeve të 24 dhjetorit të vitit të kaluar.

Përfundimet e Davitkovskit parashikojnë përgjegjësi të ndarë për dhunën në Kuvend. Për dëbimin e gazetarëve dhe deputetëve, ai ngarkoi pushtetin, ndërsa opozitën e fajësoi  për bllokimin e punës së Kuvendit gjatë seancës ku në rend dite ishte votimi i buxhetit shtetëror.

Davitkovski të premten kishte kërkuar një takim me presidentin maqedonas Gjorgje Ivanov për ta njoftuar lidhur me dorëheqjen, por ky takim nuk është realizuar me arsyetimin se presidenti kishte agjendë të ngjeshur gjatë ditës.

Zbardhja e ngjarjeve të 24 dhjetorit është edhe një detyrim që është kërkuar për t’u plotësuar sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian.

Lidhur me dorëheqjen e Borçe Davitkovskit ka reaguar edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano, i cili ka kërkuar që kjo dorëheqje të mos bëhet pengesë për punën e mëtejshme të komisionit.

Top Channel