Prioritet për të gjithë qytetarët e Maqedonisë është zgjidhja e problemit të emrit, për shkak se alternativa e vetme për ne është anëtarësimi në BE dhe NATO.

Kështu është shprehur nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, partia e të cilit po kërkon zgjidhje sa më të shpejtë të problemit bilateral me Greqinë, rreth emrit kushtetues të Maqedonisë, që po mban të bllokuar integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Ai ka thënë se propozimi i ri i ndërmjetësit ndërkombëtar, Metju Nimic, paraqet bazë të mirë për kompromis me shtetin helen. Më tutje, Mexhiti, ka sqaruar se propozimi, që vendi të quhet Maqedonia e Epërme, është i pranueshëm për partinë shqiptare në qeverinë e Shkupit.

Nënkryetari i BDI-së, në një intervistë për radion Europa e Lirë, ka thënë se partia e tij nuk do të pranojë emër, i cili do të përmbajë parashtesën jugosllave para emrit Maqedoni.

Mexhiti ka pranuar se me partnerin maqedonas të koalicionit, VMRO-DPMNE-në, në disa raste kanë pasur qëndrime të ndryshme për emrin, megjithatë, ai tha se BDI gjithmonë është e treguar e gatshme, që këto dallime të tejkalohen përmes dialogut.

Por, me gjithë këmbënguljen e BDI-së, gjykuar sipas zhvillimeve të fundit, zgjidhje të shpejtë për problemin 20-vjeçar nuk pritet të ketë.

Së fundmi, presidenti maqedonas akuzoi Athinën se nuk është e interesuar për tejkalimin e problemit bilateral, vetëm disa pasi kryeministri grek Andonis Samaras refuzoi ftesën e Nikolla Gruevskit për të zhvilluar një takim për emrin. Ndërkohë, vetë Gruevski u përmbajt nga komentet për përgjigjen negative të Samarasit.

Top Channel