Zyra e Komitetit të Helsinkit në Maqedoni, në pesë muajt e fundit ka regjistruar 50 incidente të nxitura nga urretja etnike dhe fetare. Sipas përfaqësuesve të kësaj organizate, Shkupi është qendra ku ndodhin
shumica e incidenteve, siç janë rrahjet ndëretnike, dhunimi i objekteve
fetare, si dhe sulmet ndaj autobusëve urbanë.

“Sulmet ndodhin në komunat e pastra entike, në momentin kur dhunuesit hasin pjestarë të një bashkësie tjetër, ndërsa sheshi i Shkupit është vendi ku ndodhin incidentet më të mëdha. Për 5 muaj jo të plotë kemi mbi 50 incidente që kanë ndodhur si rezultat i urrejtjes. Hulumtimi që kemi bërë tregon se të gjitha incidentet ndodhin në Shkup dhe qytetet e Maqedonisë perëndimore. 80 për qind e krimeve nga urrejtja ndodhin në baza etnike dhe fetare”, ka deklaruar përfaqësuesi i KMH, Vojisllav Stojanovski.

Drejtuesit e zyrës së Komitetit të Helsnikit në Shkup thonë se numri i incidenteve ndëretnike shënon rritje dhe kjo për shkak se autoritetet nuk i zbardhin deri në fund shumicën e rasteve dhe nuk marrin masa ndaj personave që kryejnë sulmet.

“Ka raste të tilla që përsëriten, pasi autoritetet nuk arrijnë të ballfaqohen si duhet me këto probleme. I tillë është rasti me sulmet ndaj Muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, i cili u sulmua dy herë brenda një periudhe kohore prej tre muajsh dhe ende nuk janë kapur autorët”, ka nënvizuar Stojanovski.

Përfaqësuesit e Komitetit të Helsinkit folën edhe për zbatimin selektiv të drejtësisë, duke dhënë si shembull protestat e 1 dhe 2 marsit të këtij viti. Në rastin e parë, protestuesit ishin maqedonas dhe rrahën dhjetra shqiptarë të pafajshëm, kurse procesi gjyqësor kundër dhunuesve ende nuk ka filluar.

Në rastin e dytë, kur shqiptarët protestuan kundër dhunës që ushtrohet ndaj tyre, gjykata në afat redokd solli aktvendim gjyqësor, me të cilin u dënuan me burg dhjetra të rinj shqiptarë, për shkak të dëmeve materiale që shkaktuan gjatë protestës.

Dhuna ndëretnike në Maqedoni është verifikuar edhe në stadiume, ku tifozët huliganë të ekipeve maqedonase kanë sharë e fyer me parulla tifozët shqiptarë, duke mos e kursyer as dhunën fizike ndaj tyre. 

Top Channel