Përfaqësuesit e Trojkës (BE, BQE dhe FMN) i kanë kërkuar
administratorëve të bankave më të mëdha greke një shkurtim drastik të
punonjësve, që varion nga 25 në 30 për qind.

Danezi Paul Tomsen nga FMN dhe gjermanët Matthias Mors dhe Clauss Mazuch, përkatësisht nga BE dhe BQE, i kanë kërkuar drejtuesve të institucioneve bankare që të lehtësojnë administratën pas rikapitalizimeve.

Lajmin e ka bërë të ditur gazeta athinase “Proto Thema”, sipas të cilës shkarkimet nga detyra mund të përfshijnë 18 mijë nga 60 mijë punonjës të bankave më të mëdha helene.

Kërkesa vjen pak ditë pasi Parlamenti grek aprovoi me një diferencë të ngushtë votash një draft-reformë për sektorin publik, që do të lërë mijëra persona të papunë.

Me një votim 153-140, ligjvënësit miratuan projektligjin që lidhet me huatë e fundit të shpëtimit prej 6,8 miliardë eurosh, të marra nga Trojka dhe të nevojshme për të mbajtur gjallë Greqinë.

Gjatë debatit, mijëra protestues u mblodhën jashtë parlamentit, në kryeqytetin Athinë. Greqia është goditur së fundi nga një seri grevash kundër shkurtimeve.

Koalicioni qeverisës, i udhëhequr nga kryeministri konservator, Andonis Samaras, tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të përforconte edhe më tej reformat e dhimbshme.

Bazuar mbi këtë draft, më shumë se 4000 punonjës shtetërorë, përfshi mësues dhe punonjës së qeverive lokale, do të përballen me largimin nga puna këtë vit.

Top Channel