Maqedonia nuk ndodhet në mesin e vendeve me prioritet për Bashkimin Europian në procesin e zgjërimit. Këtë e ka bërë të ditur para deputetëve në Shkup, ambasadori lituanez për Maqedoninë, Renetas Jushka, duke prezantuar prioritetet e Lituanisë gjatë kryesimit gjashtë-mujor të Këshillit të BE-së.

“Ne mundohemi të jemi shumë preçis lidhur me prioritetet tona kur bëhet fjalë për prioritetet rreth zgjerimit dhe më duhet t’ju them se vendi juaj nuk ndodhet aty. Ndodhta tingëllon vrazhdë, por këtë sinjal po mundohemi t’ua dërgojmë një kohë të gjatë, sepse vërtetë jemi të brengosur për ju”, deklaroi Renetas Jushka, ambassador i Lituanisë për Maqedoninë.

Diplomati lituanez tha se Shkupi duhet të shënojë progres në shumë fusha. Ai u bëri me dije autoriteteve maqedonase se përparimi i këtij vendi, më shumë se për Brukselin është i nevojshëm për qytetarët e Maqedonisë.

“Detyra ime sot këtu nuk është që të bëj shaka në llogarinë tuaj. Unë do të isha i brengosur në vendin tuaj, sepse lista e brengave tona është e gjatë. Nuk bëhet fjalë vetëm për disa cështje. Bëhet fjalë për pritjet e vendeve anëtare të BE-së, që nga Maqedonia kërkojnë përparim sa i përket lirisë së medias, sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit”, tha ambasadori Jushka.

Deputetët e opozitës maqedonase thanë se fjalimi i ambasadorit lituanez fatkeqsisht është bazuar në situatën reale, ndërsa përfaqësuesit e pushtetit, për ngecjen e vendit në procesin e integrimit fajësuan Athinën zyrtare, e cila po bllokon Shkupin për shkak të problemit bilateral që kanë këto dy vende lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë.

Top Channel