Debati parlamentar për projektligjin që parashikon që në Greqi të hapen dyqanet edhe ditën e diel është mbyllur me miratimin e tij mbrëmjen e vonë të së mërkurës.

Pronarët e dyqaneve që duan mund ta mbajnë të hapur aktivitetin e tyre edhe ditën e pushimit, siç njihet ndryshe në mbarë botën.

Ligji kontrovers ka shkaktuar në ditët e kaluara reagime të ashpra nga të gjitha kategoritë e sektorit, që kanë protestuar kundër aplikimit të kësaj mase, që sipas tyre do të dëmtojë tregtarët e vegjël.

Miratimi i tij vjen pak kohë pasi Parlamenti grek aprovoi me një diferencë të ngushtë votash një draft-reformë për sektorin publik, që do të lërë mijëra persona të papunë.

Me një votim 153-140, ligjvënësit miratuan projektligjin që lidhet me huatë e fundit të shpëtimit prej 6,8 miliardë eurosh, të marra nga Trojka dhe të nevojshme për të mbajtur gjallë Greqinë.

Gjatë debatit, mijëra protestues u mblodhën jashtë parlamentit, në kryeqytetin Athinë. Greqia është goditur së fundi nga një seri grevash kundër shkurtimeve.

Koalicioni qeverisës, i udhëhequr nga kryeministri konservator, Andonis Samaras, tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të përforconte edhe më tej reformat e dhimbshme.

Bazuar mbi këtë draft, më shumë se 4000 punonjës shtetërorë, përfshi mësues dhe punonjës së qeverive lokale, do të përballen me largimin nga puna këtë vit.

Top Channel