AMA, katër vendime ilegale?!

26/07/2013 00:00

AMA ka reaguar sërish pas kronikës së transmetuar në Top Channel, duke sulmuar sërish televizionin dhe duke mos i dhënë përgjigje pyetjeve thelbësore që rëndojne mbi një proces kaq të rëndësishëm, sic është ai i licensimit të rrjeteve numerike.

“Pretendimi se rregullorja për licensimin e rrjeteve numerike nëpërmjet procedurës nuk është firmosur nga nënkryetari i Sami Nezaj është krejtësisht i pavërtetë. Zv. Kryetari Nezaj e ka firmosur këtë dokument, fakt të cilin e kanë konfirmuar edhe gazetarët e Top Channel gjatë një bisede telefonike të zhvilluar sot përpara përgatitjes së kronikës. Jo vetëm nga kqyrja e dokumentit origjinal, por nga procesverbali i mbledhjes është lehtësisht e verfikueshme firma dhe vota e zv.kryetarit Nezaj”, thuhet në deklaratën e AMA-s.

Sa për firmen e zotit Sami Neza, ky nuk është dizinformim, por vetëm konstatim i asaj që duket. Lidhur me firmën e zotit Zylyftar Bregu, është e kundërta e rastit të zotit Neza. Firma e zotit Bregu duket qartazi dhe Top Channel në raportin e tij nuk e ka mohuar. Për zotin Bregu është përdorur deklarata publike e tij që tërhiqet nga procesi pas konstatimit të parregullsive.

“Diskutimi mes kryetares së AMA-s dhe anëtarit Bregu është shkëputur nga i gjithë procesi, pasi pikërisht një ditë para kësaj mbledhjeje, AMA u ka shpërndarë për konsultim subjekteve të interesuara si dhe ka publikuar në faqen e institucionit, projekt-rregulloren në fjalë”, shton AMA.

Sa për pretendimin se diskutimi me zotin Bregu është shkëputur nga konteksi nënvizojmë se thelbi i këtij debati ka sjellë më pas edhe tërheqjen e zotit Bregu nga ky proces.
Sa për problematikën ligjore po sjellim në vëmendje sërish shkeljet e AMA-s për vendime të marra në kundërshtim me ligjin mbi të cilin zonja Bushati thotë se e ka respektuar.

Në ligjin e ri 97/2013 neni 48, pika 2 ku thuhet që; “AMA në procesin e këshillimit publikon dokumentet rregullatore të propozuara dhe kërkon paraqitjen me shkrim të mendimit të palëve të interesuara, brenda një afati kohor të publikuar, i cili nuk duhet të jetë më pak se 30 ditë”.

Duke injoruar nenin 48 te ligjit, AMA nuk këshillohet me askend dhe miraton më datë 22 Maj 2013 katër vendime dhe rregullore që gjenden të publikuara edhe në faqen zyrtare të vetë institucionit:

1. Për proçedurat dhe kriteret e dhënies së Autorizimeve
2. Vendim mbi miratimin e pagesave për shërbimet që kryhen nga AMA
3. Vendim për miratimin e pagesave për license
4. Vendim për miratimin e pagesave për autorizim

Sic duket nga vetë faqja zyrtare e AMA-s, këto vendime në kuadrin e grup rregullorëve për këtë proces janë marrë, ndërkohë që ky institucion jo vetëm që nuk është konsultuar, por as nuk ua ka bërë të ditur më parë ato, grupeve të interesit, sic e kërkojnë pikat e nenit 48 të ligjit.

Zonja Bushati këmbëngul në faktin se ka organizuar tryeza konsultimesh me operatorë lokalë, por anashkalon se përse këto tryeza janë bojkotuar nga televizionet kryesore kombëtare, jo vetëm nga Top Channel, por edhe nga TV Klan dhe nga platforma më e madhe dixhitale, Digitalb.

Edhe në këtë dalje të zëdhënësit, zonja Bushati dhe AMA nuk i janë përgjigjur sërish pyetjeve thelbësore që lidhen me procesin: Përse AMA nuk përpiloi dokumentin e strategjisë, detyrë ligjore e saj, por ishte Ministria për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, MITIK që përmbylli dokumentin pa pjesëmarrjen e operatorëve privatë dhe pa marrë parasysh asnjë sugjerim të tyre? Përse me këtë dokument të kontestuar e të pazbatueshëm për këtë sektor, gjë që e ka shprehur edhe vetë kryetarja Bushati, jo me larg se katër muaj më parë, me zë dhe figurë, kërkohet të vijohet me licensimet? Përse nuk ka përgatitur planet përkatëse të caktimeve të frekuencave të domosdoshme për të nisur këtë proces teknik? Dhe së fundi, sic duket nga faktet e reja sa më sipër, përse merr vendime pa u konsultuar me grupet e interesit?

Top Channel