Një arratisje e denjë për filmat hollivudianë, ashtu si dhe emri i bandës të cilës i përket: Pantera Rozë. Milan Popariç, një 34-vjeçar boshnjak, është arratisur mes të shtënash dhe ndjekjesh nga burgu i Orbes në Zvicër.

Ai u ndihmua nga dy bashkëpunëtorë jashtë burgut, që dëmtuan hyrjen e kompleksit dhe qëlluan disa herë në ajër për të penguar rojet, por pa lënduar njeri.

Rreth 50 agjentë, të shoqëruar nga qen kufiri, janë vënë në ndjekje të tyre. Edhe rojet kufitare dhe xhandarmëria franceze janë vënë në alarm.

Me pak fjalë po zhvillohet një gjueti e vërtetë njeriu, pasi Popariç ka një kurrikulum që të imponon respekt: i dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg për një grabitje të kryer në Neushatel të Zvicrës në vitin 2009 dhe sipas Interpol ka kryer grabitje të tjera të bujshme me anëtarët e bandës Pantera Rozë.

Emri në fjalë u vendos pasi banda, e përbërë nga ish-ushtarakë jugosllavë, kreu një grabitje në Angli, duke marrë një unazë diamantësh të gjetur nga policët në një tubet kremi për fytyrën, duke u kujtuar hetuesve një episod të sagës kinematografike me aktorin amerikan Peter Sellers.

Sipas Interpol, banda ka rreth 40 anëtarë dhe ka vepruar nga viti 1999 në pjesë të ndryshme të botës si Evropë, Azi e Shtetet e Bashkuara, duke grabitur bizhuteri me vlerë rreth 436 milionë dollarë.

Top Channel