Vetëm një ditë pas raportimit në komisionin parlamentar të Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangjelos Venizellos është takuar mesditën e së mërkurës me ambasadorin shqiptar në Athinë, zotin Dashnor Dervishi.

Ishte takimi i parë i diplomatit shqiptar me kreun e diplomacisë greke pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri dhe tema kryesore e bisedës së tyre ka qenë pikërisht marrëdhëniet dypalëshe.

Ashtu siç deklaroi edhe dje në Parlament, Venizellos ka theksuar se Athina është e interesuar të zgjidhë sa më parë çështjen e kufirit detar me Shqipërinë fqinje.

Siç pohoi për Top Channel ambasadori shqiptar Dashnor Dervishi, ministri grek ka theksuar se të dyja palët duhet të përfundojnë zgjidhjen e kësaj çështjeje me një frymë pozitive dhe reciproke, duke respektuar të drejtat e çdo pale.

Athina ndjek me interes perspektivën evropiane të Shqipërisë, ka thënë Venizellos gjatë bisedës, ku mes të tjerash është diskutuar edhe çështja e toponimeve që mban peng mijëra fëmijë të emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Sipas zv.kryeministrit grek, do të fillojë menjëherë puna nga stafi i tij që në bashkëpunim me komisionet e Ministrive të Jashtme të dy vendeve të marrë fund ky problem në një afat sa më të shkurtër.

Nuk duhet të lejojmë që disa çështje që ende nuk janë zgjidhur midis dy shteteve të bëhen pengesë për frymën e mirë të bashkëpunimit midis Athinës dhe Tiranës, ka qenë mesazhi i këtij takimi, që është zhvilluar në një frymë kosntruktive dhe bashkëpunimi.

Në fund Venizellos ka ftuar kryeministrin e ri shqiptar Edi Rama në Greqi për të takuar kryeminstrin Samaras, ndërsa vetë ai do të jetë pjesë e një delegacioni grek që do të vizitojë Shqipërinë në fillim të nëntorit, i kryesuar nga vetë presidenti i vendit Karolos Papulias.

Top Channel