Qeveria e Serbisë dëshiron Dominique Strauss Kahn si këshilltarin e saj. Kërkesa është bërë zyrtarisht nga zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiç tek ish-shefi i FMN-së.

“Kemi folur shkurt për mundësinë e një bashkëpunimi”, ka deklaruar Vuçiç në një prononcim për televizionin lokal B92.

“E sigurt është se DSK nuk do të jetë ministër, por këshilltar që të na ndihmojë në menaxhimin e borxhit publik”, ka saktësuar numri dy i qeverisë serbe.

Por premisat duken të vështira, pasi sipas Vuçiç: “Është bërë vetëm kontakti i parë. Gjithçka mbetet për t’u caktuar edhe për faktin se Kahn kërkon shumë para”.

Në një intervistë të dhënë një ditë më parë për një televizion rus, Kahn deklaroi se ideja për hyrjen në politikë i përket së kaluarës dhe shprehu interesin për të punuar si këshilltar për qeveritë e vendeve të ndryshme dhe ndërmarrjet e mëdha.

Nga ana tjetër atij nuk po i ndahen telashet gjyqësore, pasi së fundmi një gjykatë franceze shtyu procesin ndaj tij për akuzën e përfshirjes në një rrjet prostitucioni në veri të Francës.

Top Channel