Organizata amerikane në mbrojtje të të drejtave të njeriut, “Human Rights Watch” kritikoi ashpër Greqinë për operacionin e policisë të koduar “Ksenius Zefs”.

Sipas kësaj organizate, plot një vit nga fillimi i këtij operacioni, mijëra emigrantë të huaj janë bërë objekt kontrolli prej autoriteteve. Ata janë mbajtur për orë të tëra nëpër rajonet e policisë, ndërsa jo pak prej tyre janë dërguar në kampe dhe qendra pritjeje për emigrantët, ku kushtet e jetesës janë skandaloze.

“Human Rights Watch” verën me shqetësim se që prej fillimit të këtij operacioni në vend nuk është ulur kriminaliteti, por tashmë me prova konkrete mund të thuhet se janë rritur rastet e abuzimit të autoriteteve policore ndaj azilantëve politikë dhe emigrantëve të huaj në vend.

Duke tundur këmbanat e alarmit se operacione të tilla, jo vetëm që vënë në shënjestër emigrantët, por shkelin të drejtat elementare të tyre. Organizata vë re se në Greqi ka një rritje shqetësuese të popullaritetit të partisë fashiste “Agimi i Artë”, si dhe të një rryme anti-emigrante.

“Kjo ka detyruar qeverinë që të krijojë politika me qëllim rikthimin e votuesve që simpatizojnë politikat anti-emigracion dhe jo t’i japë zgjidhje afatgjatë problemeve”, shkruan në raportin e saj “Human Rights Watch”.

Organizata vë re me shqetësim se kërkesat për azil nuk shqyrtohen pothuajse fare prej autoriteteve,ndërsa akuzon qeverinë se operacioni “Ksenius Zefs”, ka rritur pasigurinë për mijëra emigrantë që jetojnë në vend.

Edhe pse Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit ka mohuar shqetësimin lidhur me raportin e  “Human Rights Watch”, burime nga kjo ministri thonë se ai do të lexohet me kujdes dhe në cdo rast ksenofobie dhe dhune ndaj emigrantëve, të denoncuar prej organizatës do shqyrtohet me seriozitet, ndërsa shkaktarët do të ndëshkohen.

Top Channel