Borxhet, CEZ-i “kopjon” çekët

02/08/2013 00:00

Institucionet buxhetore dhe jobuxhetore si dhe ujësjellsat që janë debitorë ndaj ‘Cez Shpërndarje’ do të kenë afat deri ditën e mërkurë për të shlyer faturat e papaguara të energjisë elektrike.

Në rast të kundërt, ‘Cez Shpërndarje’ njofton se ndaj këtyre institucioneve do të merren të gjitha masat për ndërprerjen e energjisë elektrike.

Kompania nuk bën ende të ditur emrat e institucioneve, por përmes një deklarate u bën apel të nisin sa më shpejt shlyerjen e borxheve, duke u vënë datën 7 gusht si afatin limit për pagesën e tyre.

Kërcënimi i ‘Cez Shpërndarje’ për ndërprerjen e energjisë elektrike për institucionet buxhetore dhe jo buxhetore si dhe ujësjellësat vjen në kulmin e sezonit turistik. Në të njëjtën periudhë kohe, një vit më parë, kur sistemi i shpërndarjes menaxhohej nga çekët, Cez nisi aksionin në të gjithë vendin për ndëshkimin e konsumatorët debitorë, duke u ndërprerë energjinë elektrike deri në shlyerjen e detyrimeve.

Gjatë këtij aksioni, punonjësit e kompanisë çeke u përballën me protesta, ndërsa jo të pakta ishin dhe rastet kur këta punonjës u përfshinë në konflikte të drejtpërdrejta me banorët.

Ky aksion vijoi në muajin nëntor me ndërprerjen e energjisë elektrike për kompanitë e ujësjellësit në disa qytete si Elbasan, Laç, Durrës e Sarandë pasi nuk kishin paguar energjinë, ndërsa qytetarët u paralajmëruan që të mbushnin depozitat me rezerva uji dhe të interesoheshin pranë kompanive të tyre të ujësjellësit, nëse ata ofrojnë alternativa për furnizmin me ujë të konsumatorëve.

Në këtë situatë,  më 21 janar, Enti Rregullator i Energjisë vendosi t’i heqë licensën çekëve për mos zbatim të kontratës, duke zyrtarizuar përfundimisht dështimin e privatizimit më strategjik në Shqipëri dhe duke rikthyer shpërndarjen e energjisë në administrimin e shtetit.

Top Channel