E kthyer tashmë në një traditë, në kalane e Ulqinit ka startuar festivali “Skena Verore 2013”, ku për 20 netë me radhë nga vende të ndryshme të Ballkanit do të prezantohen punime artsistike, ekspozita të ndryshme, shfaqje teatrale, si edhe mbrëmje letrare.

Në kuadër të këtij eventi, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve, “Art Club”, në Ulqin ka organizuar edicionin e 21-të të manifestit “Kalimera Poetike”, ku i ftuari i nderit ka qenë shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti.

Ndër të tjera, Mehemeti është shprehur se shteti amë duhet të luajë një rol akoma më të madh në çështjet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë dhe sipas tij, këtë më mirë se askush sot po e bën Top Channel.

“Është vetëm një projekt i suksesshëm shqiptar: Top Channel. Një projekt brilant. Të tjera duhet të jenë romanet shqiptare, baleti shqiptar”, ka thënë Mehmeti.

Ndërsa një nga organizatorët e kësaj mbremjeje artistike, Ali Salaj, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve dhe Artistëve në Ulqin shprehet se qëllimi kryesor i këtij eventi është promovimi i krijimtarisë më të mirë shqiptare dhe ballkanike.

““Kalimera Poetike” është një aktivitet i njohur që sivjet organizohet sërish dhe si mysafirë kemi pasur shkrimtarin e njohur nga Maqedonia, Kim Mehmeti. Mesazhi është afirmimi i kulturës mbarëkombëtare”, deklaron Salaj.

“Kalimera Poetike” vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë. Duke pasur parasysh rrugën e zhvillimit të kësaj veprimtarie ndër vite, mund të thuhet se “Kalimera Poetike” është shndërruar në orën letrare akademike të letërsisë shqipe.

Ulqini gjatë këtyre ditëve bëhet qendra e vendtakimit të shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre nga rajoni, duke i dhënë kështu turizminit edhe një vlerë të shtuar.

Top Channel